Ky Skënderbe nuk e ka humbur mentalitetin e fituesit

Futboll

Ky Skënderbe nuk e ka humbur mentalitetin e fituesit

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 18:55
Teqja

Të veshësh “dorezat” e Orges Shehit është e vështirë për këdo. Talenti, përvoja dhe dedikimi ndaj punës, ishin elementët që e veçonin ish portierin e Skënderbeut dhe të mbulosh të njëjtin rol pas tij, duhet karakter dhe guxim.

Trajneri aktual e bekoi si pasardhësin ideal dhe Aldo Teqja deri më tani nuk ka zhgënjyer askënd. Paraqitjet e 23-vjeçarit kanë qenë mjaft pozitive, megjithatë po ashtu si ish kolegu, tashmë trajneri i tij Shehi, Teqja është mjaft kërkues ndaj vetes.

“Të zëvendësosh Shehin, është gjithmonë një përgjegjësi e madhe. Unë punoj çdo ditë e më shumë për t’u përmirësuar dhe për të justifikuar besimin e skuadrës ndaj meje”, shprehet Teqja.

Portieri është pjesë e Skënderbeut që nga viti 2016 dhe e ka përjetuar në vetë të parë ndryshimin nga edicioni i shkuar tek ky sezon, gjithsesi një virtyt ka mbetur i paprekur, mendësia fituese e kampionëve në fuqi.

Tirana është kundërshtari i radhës dhe emri i bardhebluve të imponon respekt, por synimi i Skënderbeut mbetet maksimal në transfertën e “Selman Stërmasit”.

“Është një transfertë e vështirë, pasi Tirana ka një skuadër mjaft të mirë dhe do të kërkojë rezultat pozitiv, por ne jemi Skënderbeu dhe do të luajmë për fitore, ashtu si në çdo takim”, deklaroi portieri i bardhekuqve.

Teqja e ka veshur fanellën kuqezi në të gjitha përfaqësueset e moshave dhe tek ajo e 21-vjeçarëve, portieri i Skënderbeut ëndërron kombëtaren, por duke u bazuar gjithnjë tek puna.

“Unë jam i përqendruar të punoj sa më shumë dhe të përmirësohem, pasi jam i bindur se me paraqitje të mira do të vijë edhe ftesa në Kombëtare, që është një ëndërr për të gjithë”, u shpreh Teqja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat