Një muaj pa fitore

Futboll

Një muaj pa fitore

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 10:25
Daja

Flamurtari do të rinisë kampionatin me sfidën e së premtes kundër Partizanit, në orën 18:00, takim delikat për të dyja palët.

Flamurtari kërkon hakmarrje për humbjen e pësuar në fazën e parë në Tiranë, ku luajti një ndër ndeshjet më të dobëta të sezonit, ndërsa Partizani synon të ruajë kryesimin, falë tre fitoreve rresht që e kanë lejuar të parakalojë sërish Skënderbeun.

Faktori fushë luan rol të rëndësishëm vetëm në teori, sepse Flamurtari ka humbur ndaj Skënderbeut në Vlorë këtë sezon dhe prej një muaji nuk fiton para tifozerisë së vet, duke lëshuar pikë të çmuara ndaj Teutës e Luftëtarit, sfida që nuk duhej t’i gabonte në asnjë mënyrë, për të mos humbur trenin e kreut.

Shpresa e kuqezinjve është te ndryshimi që do të sjellë përfshirja e anësorit ofensiv Elton Cale. Braziliani stërvitet prej muajit gusht në Vlorë, por u bllokua nga pretendimi i Kukësit se kontrata e tij ishte rinovuar, gjë që Cale e ka mohuar me vendosmëri, duke akuzuar për manipulim dhe falsifikim firme.

Nuk dihet saktë si, por pas 3 muajsh në “frigorifer”, Elton Cale është lënë i lirë nga Kukësi, që deklaron se do të paguhet nga Flamurtari.

Pak rëndësi ka për Ilir Dajën, sepse trajneri kuqezi gjen futbollistin që i mungonte shumë në këtë fillimsezoni dhe Cale pritet titullar që nesër, duke parë boshllëkun që ka lënë në formacion Danilo Alves, i dëmtuar prej disa javësh.

Nëse mbrojtja është kompletuar me kthimin në formë të Albi Allës dhe mesfusha ka si pika kyçe lojtarë me eksperiencë si Batha e Useini, tashmë është sulmi ai që pëson ndryshime, sepse pas Busic do të luajnë Torassa e Cale, me këtë të fundit që shton cilësinë dhe teknikën, në një skuadër tepër të varur nga shpikjet e argjentinasit Torassa. Natyrisht, është ndeshja e parë pas kaq shumë kohësh për Cale dhe nuk mund të thuhet me siguri që është 100% i ambientuar me skuadrën, por federimi i tij shton alternativat dhe pasuron edhe stolin për Dajën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat