Guardiola i kërkon Barçës t’i prijë betejës për pavarësinë e Katalonjës

Futboll

Guardiola i kërkon Barçës t’i prijë betejës për pavarësinë e Katalonjës

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 16:31
Guardiola i kërkon Barçës t’i prijë betejës për pavarësinë e Katalonjës

Pep Guardiola i ka bërë thirrje Barcelonës, që të marrë një rol udhëheqës në luftën e Katalonjës për pavarësi. Trajneri i Manchester City ka qenë mbështetës i qartë i një referendumi, që duhet të mbahet, sipas tij, për të vendosur nëse rajoni duhet të bëhet i pavarur nga Spanja.

Megjithatë, votimi i fundit publik për këtë çështje u konsiderua i paligjshëm nga autoritetet spanjolle dhe nxiti një goditje masive nga policia, që sulmoi votuesit dhe arrestoi shumë nga organizatorët e referendumit.

Por, lëvizja për pavarësi është ende e fortë, ndaj katalanasi “24-karatsh” dhe ish-trajneri i Barcelonës i ka bërë thirrje klubit për t’u vënë në ballë të përpjekjeve. “Sigurisht, Barcelona duhet të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Është e pamundur ta kuptojmë Barcelonën pa e ditur se çfarë ka ndodhur në Katalonjë në të kaluarën, – tha Pep për “Marca”.

– E kuptoj se nganjëherë, duke qenë në bordin drejtues, apo president i klubit, pra duke qenë në pushtet, duhet të menaxhosh situatën. Ndonjëherë, kjo nuk është e lehtë, por nuk mund ta mohojë askush se Barcelona është shumë e rëndësishme në identifikimin e gjuhës dhe kulturës tonë.

Pse nuk mund të përfshihen figurat publike në këtë aspiratë, kur njerëzit lidhen me sportin dhe politikën. Vite më parë, në Valencia, Guus Hiddink, i cili është një nga trajnerët më të mëdhenj në histori, ndaloi lojën në një ndeshje, sepse pa flamuj nazistë në turmën e tifozëve.

Ai tha që, nëse ato flamuj nuk hiqeshin, atëherë nuk do të luanin. Sigurisht, ai e përdori pushtetin e tij, por kur është bërë për këtë lloj gjëje, atëherë është shumë e mirë”. Ka pasur shumë bisedime se çfarë do të ndodhë me Barcelonën, nëse rajoni ndahet nga Spanja, teksa katalanasit nuk mund të luanin më në La Liga. Megjithatë, Guardiola nuk është i shqetësuar.

“Mendoj se është më pak shqetësuese, nëse Barcelona luan në ligën spanjolle apo jo, – u përgjigj ai. – Nëse shoqëria merr një vendim, zgjidhja do të gjendet. Në fund të fundit, demokracia e vërtetë kalon përmes referendumeve. A përcaktojnë ato që njerëzit të jetojnë më mirë apo jo? Për këtë gjë nuk kam përgjigje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat