Te Tirana nuk fitohet me lojtarë kokulur

Futboll

Te Tirana nuk fitohet me lojtarë kokulur

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 14:13
Mema

Tirana do të presë nesër Skënderbeun në “Selman Stermasi”, me start orën 14:00, në mungesë të tifozëve, në kuadrin e javës së 14-të të Superiores. Situata te bardheblutë nuk është aspak e mirë, sa iu takon rezultateve, çka e tregon qartë edhe renditja në klasifikim, vendi i tetë për momentin. Duhet një shkundje dhe korigjim i gabimeve të bëra, sipas trajnerit Ardian Mema, që të dilet nga kjo situatë. Ja intervista e tij në konferencën e sotme për shtyp.

Sa ju ka ndihmuar kjo pauzë e kampionatit për ta përgatitur ndeshjen me Skënderbeun?
Të them të drejtën kemi pasur mjaft kohë për të riparuar veten, së pari, dhe për të përgatitur ndeshjen me Skënderbeun, së dyti. Kemi bërë analiza të gjata me ekipin, kemi konstatuar shumë gabime. Nuk mund t’ju them se ku, sepse jemi para ndeshjes. Jemi munduar që të korigjohemi disi, sidomos në ato gabime që bëmë në ndeshjen e fundit. Ekipi është i përgatitur për këtë ndeshje. Pres një ballafaqim të bukur, sepse secila nga palët do të kërkojë të shpalosë vlerat e veta. Kam shumë besim tek ekipi, për ta kaluar me sukses këtë ndeshje.

Patët deklaruar pas humbjes në Gjirokastër se do ta rishikonit qëndrimin tuaj. A keni diskutuar me presidentin rreth kësaj çështjeje dhe çfarë keni vendosur?
Kjo ishte një deklaratë e imja personale. Presidenti nuk e ka pranuar diçka të tillë, në mënyrë absolute. Kemi biseduar gjatë. Ka qenë një moment, që po më shkonin gjërat jo mirë. Po luftoja me veten, sepse ndeshjet na kanë sjell fat të keq e jo të mirë. Në një moment e mendova këtë, bëra dhe atë deklaratë, por mund të ketë qenë pak e nxituar nga ana ime. Prandaj, në një moment emcional, njeriu duhet të ketë pak kujdes kur flet. Gjithsesi, një trajner e mban rezultati në punë. Jam nga ato tipa, që kur them diçka, edhe e bëj. Me presidentin është diskutuar gjatë gjithë kohës për projekte afatgjatë dhe nuk është diskutuar fare kjo pjesë. Pra, është diçka e kaluar si deklaratë dhe moment.

Tirana është në udhëkyq, i duhen pikët për të mos prekur fundin e klasifikimit…
Tirana i ka pasur të gjitha mundësitë për t’i fituar ndeshjet, që kur kam ardhur unë. Pjesën dërrmuese të tyre i kemi dominuar me lojë, kemi kaluar të parët në avantazh. Tirana ka një problem, që vjen nga ana psikologjike, ose ka edhe momente papërgjegjshmërie, të themi të drejtën. Në shumicën e rasteve e kemi falur ndeshjen, flas nga ana sportive. Nuk kam asnjë pishman me veten, sa i përket përgatitjes së ekipit. Gjithë problemi ka qenë te gabimet, që na kanë sjellë rezultate të dobëta.

Thatë ka papërgjeshmëri… A mund të na zbulosh nëse kjo ka të bëjë me dëshirën e ndonjë lojtari, apo të ndonjë reparti?
Fola më parë për një problem psikologjik. Lojtarëve të Tiranës nuk iu falet, që për dy-tri minuta në ndeshjen ndaj Teutës të pësojnë dy gola. Duhet të tregohemi profesionistë. Kemi bërë një analizë të thellë me të gjithë lojtarët në këtë drejtim, duke punuar me video. Jam ulur me gjithë grupin, por edhe me individë. Nuk mund të them se me cilët. Ka pasur edhe nga lojtarët keqardhje, sa i përket kësaj gjëje. Megjithatë, duhet lënë pas çdo gjë, sepse në futboll është e nevojshme të shohësh përpara. Kjo vlen për mua si trajner, edhe lojtarët. Nuk mund t’i zhbëjmë ato rezultate negative, që kemi marrë, por këto analiza duhet të shërbejnë si pikënisje për të ardhmen.

Diskutimet tuaja me lojtarët percpetohen si diçka e momentit, përderisa nuk ka reagim, apo…?
Unë i kuptoj direkt lojtarët që thonë “ok”, por thjesht më kanë dëgjuar, sepse me futbollin merrem qysh fëmijë. Kemi lojtarë me eksperiencë, nga brenda vendit, ose të ardhur nga jashtë. Këta do të kenë detyrën e menaxhimit të ekipit gjatë lojës. Pjesa ime është e jashtme gjatë lojës, sepse kur hyjnë në fushë, luajnë futbollistët. Unë e përgatis ekipin deri te ndeshja. Kjo ka qenë pak a shumë tema e bisedave dhe analizave, duke synuar ndërthurjen e eksperiencës me të rinjtë. Shpresoj të dalim nga kjo krizë dhe të kemi rezultate të mira.

Presidenti Halili a ju ka vënë një afat, se duhet të arrini kaq pikë, ndryshe…
Jo, kjo nuk ka ndodhur. Mirë është të ndodhte, sepse do të vihej një “kufi” jo vetëm për mua, por për të gjithë ekipin bashkë. Nuk luaj unë në fushë, e përsëris, luajnë futbollistët. Pjesë e përgjegjësisë së futbollistëve jam edhe unë, patjetër. Një trajner i vendos objektiva edhe vetes. Edhe unë kam objektivat e mia, kjo është e padiskutueshme. Nëse i arrij ato objektiva, puna do të vazhdojë në vazhdimësi. Sa i takon pjesës së pikëve, kam dëgjuar se në Shqipëri janë dy-tri ekipe që vendosin një prioritet në këtë drejtim. Pra, vendosin sa pikë do të marrin për katër ndeshje e kështu me radhë. E kam me të dëgjuar dhe nuk e di se sa e vërtetë është, në fakt. Ky model mund të implementohet edhe te Tirana.

Skënderbeu ka treguar se në transfertë është më i sigurtë me skuadrat e mëdha (Flamurtarin dhe Partizanin). A ju tremb ky fakt?
Unë kam qenë pjesë e Skënderbeut. Paçka se janë larguar 5-6 futbollistë nga ajo kohë, Skënderbeu është klubi më i mirë në Shqipëri, sa i takon organizimit. Janë një grup lojtarësh, që e nxjerrin ndeshjen kur duan. Pra, kur vendosin për një rezultat, e arrijnë atë. Kjo ndodhi edhe me Partizanin. Skënderbeu ka lojtarë me mentalitet fituesi, kjo gjë i udhëheq ato. Edhe Tirana ka performancë të mirë me ekipet e forta. Kjo nuk do të thotë se nesër, pavarësisht se Skënderbeu është në vendin e dytë dhe pretendent për kampion, Tirana nuk ka shanset e veta. Natyrisht, e kemi të vështirë, sepse luajmë ndaj një kundërshtari në kreun e klasifikimit, por edhe ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën lojë Skënderbeut. Tirana i ka mundësitë për këtë.

Ndaj Teutës dhe Luftëtarit keni kaluar të parët në avantazh, por keni humbur. A keni një plan që kjo të mos përsëritet?
Me Teutën, të them të drejtën ka ndodhur diçka, që nuk para ndodh në futboll. Për dy-tri minuta, të pësosh dy gola, është disi e çuditshme. Por, më e keqja ka ndodhur në Gjirokastër. Ishim në avantazh, po zhvillohej një lojë, e cila po na shkonte ne për shtat. Pavarësisht se Luftëtari ka lojtarë shumë të mirë, sidomos goditës para portës, humbja ka ardhur nga gabimet tona. Ekipi nuk ka vepruar si duhet, siç e kam orientuar. Kjo gjë më ka shqetësuar, sa i përket menaxhimit të lojës. Atë që ndodhi me Teutën po ia lë fatit, ose nuk e kuptoj, sepse një ekip profesionist nuk mund të pësojë dy gola në dy minuta.

Po të lexosh komentet në Facebook, ka edhe nga ata, që e japin shpjegim: ndeshja është shitur…
Unë jam trajner dhe gjëja e fundit që mund të mendoj është kjo që po më thoni ju. Opinionet janë nga më të ndryshmet. Ne kemi dëgjuar të thuhet se e shitën edhe Real Madridi e Barcelona. Këto janë gjëra, që duhen faktuar, sepse nuk mund të flasim në ajër. Kësi gjërash as i mendoj.

A ju vjen keq, që do të luhet pa tifozë ndaj Skënderbeut?
Gjëja më e rëndësishme për ekipin tani do të ishin tifozët. Në pesë ndeshjet e fundit, katër herë kemi luajtur jashtë dhe një herë brenda. Do të ishte shumë e mirë mbështetja e tifozëve. Do të kishte edhe tifozë të Skënderbeut. Me ta do të kishte më shumë spektakël. Kjo është një gjë, që nuk mund të arrihet. Mendoj që edhe ne jemi mësuar kështu, sepse pjesa më e madhe e ndeshjeve ka qenë jashtë, pak tifozë kanë ardhur e na kanë ndjekur. 

A do të keni ndryshime në formacion nesër?
Do të ketë një ndryshim. Ndeshja, kur përgatitet, ka specifikat e veta, sepse llogarit kundërshtarin. Pra, ndaj kundërshtarëve të ndryshëm mund të ndryshosh modulin e lojës, por edhe futbollistët. Kjo është pjesë e punës që bën trajneri para çdo ndeshjeje.

Sa keni punuar në planin psikologjik me lojtarët, meqë e shihni këtë pjesë si problematike?
Kanë qenë edhe ndeshjet e ngjeshura, koha nuk ka qenë e mjaftueshme për të punuar në çdo drejtim. Ana psikologjike është e para në futboll, sepse një ekip duhet të ketë njëlloj entuziasmi kur hyn në fushë. Nuk fitohet me lojtarë kokulur në fushë. Jam munduar gjithë kohës që të flas edhe individualisht, edhe në grup me futbollistët gjatë kësaj periudhe pushimi, sepse ky është moment që duhet kaluar.

Mos ndoshta lojtarët nuk e ndiejnë peshën reale që ka fanella e Tiranës?
Kjo pyetje më është bërë që ditën e parë, kur kam ardhur si trajner këtu. Të them të drejtën kjo është një histori e gjatë, që ky klub ka. Duhet ta kuptosh individualisht këtë pjesë, ose duhet të kesh jetuar dikur, më parë, te Tirana. Vetëm atëherë e kupton distancën mes kësaj gjenerate dhe gjeneratës sonë, dikur.

Merkato e janarit?
Janari është shumë i shkurtër për mua, nuk të sjelll ndonjë lojtar me shumë cilësi. Kam qenë te Skënderbeu, ishte një ushtri njerëzish, që punonin për futbollistët atje, dhe janari ishte i dështuar si merkato. Do të mundohemi, po shohim disa lojtarë për dy-tri pozicione. Nëse del diçka e mirë, pse jo, do ta marrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat