Liverpool nuk do të ketë frikë

Futboll

Liverpool nuk do të ketë frikë

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 11:13
Virgil Van Dijk

Virgil Van Dijk këmbëngul se Liverpool nuk do të ketë frikë, kur të udhëtojë drejt fushës së PSG, në ndeshjen e rëndësishme të Ligës së Kampioneve, këtë javë.

“Reds” e dinë se fitorja në kryeqytetin francez, të mërkurën, ka të ngjarë të sigurojë kualifikimin në raundin tjetër, por gjithashtu janë të vetëdijshëm se një humbje kundër kampionëve të Ligue 1 do t’i vendoste ata në një pozitë të pasigurtë në grup, teksa sfidën finale do ta kenë me Napolin, brenda dy javëve.

“Nuk kemi frikë, – tha ndërkombëtari holandez. – Ne e respektojmë PSG si ekip, por duam ta fitojmë ndeshjen. Do të jemi plotësisht të motivuar dhe do të sigurohemi që të jemi gati nga fillimi i lojës. Ne nuk duhet të harrojmë se jemi një nga ekipet më të mira në Europë. Sezonin e shkuar arritëm deri në finale. Të paktën, duam të bëjmë të njëjtën gjë edhe këtë vit. Ky është qëllimi ynë. Pra, ne do të përpiqemi, do të provojmë t’i mundim parizienët”.

Liverpool mbetet i pamposhtur në këtë sezon, në Premier League, pas 13 ndeshjeve të luajtura. Sidoqoftë, “Reds” nuk funksionojnë në nivelin e Manchester City, kampionit të Anglisë dhe udhëheqësit të tanishëm të renditjes. Skuadra e Klopp mbetet dy pikë prapa asaj të Pep Guardiolës.

“Nuk më intereson se çfarë mendojnë njerëzit e tjerë, – analizon Van Dijk. – Ne jemi ende të pamposhtur. Duhet të shikojmë veten. Po bëjmë shumë mirë. Natyrisht, ka gjithmonë vend për përmirësim, por nuk mund të jemi të trishtuar për situatën në të cilën jemi. Vetëm duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. Kjo është e vetmja rrugë për të ecur përpara”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat