Panucci i jep mend Solarit: Më e lehtë të drejtosh Real Madridin, sesa Shqipërinë

Futboll

Panucci i jep mend Solarit: Më e lehtë të drejtosh Real Madridin, sesa Shqipërinë

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 13:42
Christian Panucci

Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Christian Panucci, aktualisht në stolin drejtues të kombëtares së Shqipërisë, shpreson se trajneri i ri i “Los Blancos”, Santiago Solari, do të arrijë sa më shumë, si Zinedine Zidane, në “Santiago Bernabeu”, edhe pse pranon se argjentinasi përballet me një detyrë të vështirë. Këtë prognozë, italiani e bën në një prononcim për “Goal.com”.

Solari, i cili luajti me Zidane nën ngjyrat e Real Madridit, gjatë epokës së famshme “galactico” të klubit, u konfirmua zyrtarisht si zëvendësues i Julen Lopetegui, pas një ecurie mbresëlënëse rezultative në periudhën e kujdestarisë së përkohshme, pas shkarkimit të paraardhësit të tij.

Argjentinasi nuk kishte eksperiencë paraprake të stërvitjes në nivel të lartë. Zidane, gjithashtu, erdhi në krye të mbretërorëve madrilenë me të njëjtat “kredenciale” si trajner, por u largua si legjendë e të stërviturit aty, duke fituar tri Liga Kampionesh të njëpasnjëshme.

Panucci ka besim te njeriu i ri në atë pozicion, megjithëse pranon se “Zizou” mund të jetë një trajner i vështirë për t’u ndjekur. “Zidane fitoi tri Liga Kampionesh. Nëse e bëni këtë, patjetër je shumë i mirë si trajner. Shpresoj që Solari të ndjekë këtë rrugë dhe të fitojë sa më shumë, si Zidane, – tha Panucci, i cili tani është përgjegjës për drejtimin e ekipit kombëtar të Shqipërisë.

– Kur një trajner i ri bën gjëra të mira, është mirë për të gjithë. Është më e lehtë për të trajnuar Real Madridin, sesa Romën, apo Shqipërinë. Solari ka një shans të madh për të bërë një punë të mirë. Ai fitoi katër ndeshje si trajner dhe iu dha një kontratë deri në vitin 2021.

Duhet ta shfrytëzojë këtë shans, sepse është një mundësi e mrekullueshme. Ne kemi parë tashmë atë që bëri Zidane me një skuadër vërtet të mirë. Është gjithmonë më e lehtë në këtë rast, sesa nëse ke në dispozicion lojtarë mesatarë”.

Ndërsa është ende herët për të gjykuar mandatin e Solarit në stolin e Real Madridit, i cili e filloi zyrtarisht me humbjen 3-0 ndaj Eibar, në ndeshjen e tij të parë si trajner i përhershëm, Panucci pëlqen atë që sheh, sidomos pohimin e argjentinasit se lojtarët duhet të tregojnë “topet” (se janë burra).

“Nëse humbni kundër Eibarit, duhet të reagoni shpejt, – shtoi Panucci, duke sugjeruar se Real Madridit nuk do t’i mungojë motivimi kundër Romës, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, të martën. – Kjo është ndeshja më e lehtë për një trajner, sa i takon motivimit. Por, Solari vjen nga një humbje, kështu që nuk është e lehtë për të.

Sidoqoftë, me krenarinë që ka Real Madridi, e shoh favorit përballë Romës. Trajneri nuk ka pse të thotë asgjë deri në fillimin e lojës, vetëm të zgjedhë ekipin e tij dhe ta motivojë. Ai nuk ka nevojë të thotë asgjë tjetër për lojtarët”.

Panucci e gjen veten në një dilemë, përpara ndeshjes së të martës, në “Olimpico”. Ish-lojtari i kombëtares së Italisë e ka veshur fanellën e të dyja skuadrave, Romës dhe Real Madridit, gjatë një karriere të gjatë, të mbushur me trofe, që përfshinte edhe një periudhë të paharrueshme me Milanin e madh.

Për këtë arsye, ai e ka të vështirë të zgjedhë një fitues nga përplasja e sotme e Ligës së Kampionëve: “Kjo është një e pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Real Madridi është Real Madridi, e mbaj në zemër me krenari të madhe. Unë kam shumë miq atje.

Ajo që fituam me Real Madridin, titullin e shtatë të Ligës së Kampionëve, ishte diçka e madhe, pastaj mënyra se si më trajtuan tifozët. Kam luajtur tetë vite në Romë, edhe kjo është diçka e veçantë. Gjithsesi, e shoh këtë lojë ndryshe tani: shikoj taktikat, lëvizjet e trajnerëve për të mësuar diçka.

Kjo është një lojë e mrekullueshme, sepse të dyja skuadrat vijnë të plagosura. Real Madridi humbi 3-0 kundër Eibarit, dhe kjo më lëndon shumë, ndërsa Roma humbi ndaj Udinese, të martën. Reagimi nuk ka të bëjë aq me trajnerët, por me lojtarët. Ata duhet të japin më të mirën nga vetja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat