Josa: Do të duhej të ishim këmbëngulës

Futboll

Josa: Do të duhej të ishim këmbëngulës

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 15:41
Pamje nga ndeshja

Prishtina ka arritur që në stinorin vjeshtor t’ia shkaktoj Drenicës tri humbje. Dy ishin kampionale, ndërsa dje për Kupë. Në kushte aspak humane për futbollistët, bë fushën e zhytur në baltë, dy ekipet dhanë maksimumin. Por, më me fat dhe për meritë të portierit Visar Bekaj që priti dy penallti, Prishtina me meritë vazhdon në ecurinë e mbrojtjes së trofeut të çmuar të Digitalb Kupës së Kosovës.

Në ndeshje u panë nga një shtyllë nga dy skuadrat, e ku Drenica ishte më e mirë në pjesën e dytë, por Prishtina e dominoi të parën dhe lehtësisht vazhdimet. Ndeshja përfundoi 0:0, por me penallti fitoi Prishtina me 5:4. Prishtina ka kaluar në të tetën e finales shorti i të cilës hedhet të premten, ndërsa ky raund garash zhvillohet pas përfundimit të kampionatit më 8/9 dhjetor. “Pas një ndeshje para vetëm katër ditësh me Ferizajn, ia arritëm t’i përballonim 120 minuta shumë mirë. Do të duhej të ishim këmbëngulës sidomos në fund të pjesës së dytë të disa raste që ne i krijuam me daljet nga krahu i djathtë dhe duhej të ishim te porta më të zgjuar për të vepruar.

Megjithatë, si cilësi loje nuk mund të them më tepër, sepse të dyja skuadrat më tepër u munduan t’i përshtaten sa më tepër me terrenin dhe unë me futbollin që luajti skuadra ime jam i kënaqur për mënyrën se si u përshtat”, ka thënë Mirel Josa, trajner i Prishtinës.

“Prishtina e nisi mirë ndeshjen, i krijoi dy raste në fillim të ndeshjes, mirëpo mendoj që në pjesën tjetër më të madhe të lojës, ndoshta ne kemi qenë shumë më të rrezikshëm se sa Prishtina. Kemi pasur disa raste që pasi Prishtina i humbi ato dy rastet e veta, në vazhdim ne do të duhej t’i shfrytëzonim tonat që mos të shkonim as në vazhdime as te penalltitë.

Por, kur dihet në çfarë terreni u zhvillua loja, unë jam me të vërtet i kënaqur, sepse është për t’i përgëzuar dy ekipet, sidomos futbollistët që dhanë gjithçka nga vetja në këto kushte. Në fund vendosen penalltitë dhe më vije keq për lojtarët që i humbën ato. Ky është futbolli, pavarësisht kësaj neve na mbetët të vazhdojmë në kampionat, kurse Prishtinës t’i dëshirojmë sukses në vazhdim të Kupës”, ka thënë Tahir Lushtaku, trajner i Drenicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat