Spalletti: Keqardhje për humbjen, por besoj te Barcelona

Futboll

Spalletti: Keqardhje për humbjen, por besoj te Barcelona

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 06:43
Luciano Spalletti nuk e fsheh zhgënjimin për këtë humbje

Interi u mposht me rezultatin 1-0 nga Tottenhami në “Wembley”, në një sfidë ku rezistoi për plot 80 minuta, derisa fantazisti danez Eriksen mposhti portierin Handanoviç, pas një aksioni të bukur të Sissoko nga e djathta e sulmit.

Humbja bëri që kualifikimi i Interit për në fazën e 1/8-ave të komplikohet ndjeshëm, me zikaltrit që tashmë nuk mund të mjaftohen vetëm me fitoren ndaj PSV-së në ndeshjen e fundit, por duhet të shpresojnë që Barcelona të mos mposhtet nga Tottenhami në “Samp Nou”.

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti nuk e fsheh zhgënjimin për këtë humbje, ndërsa thekson se skuadra e tij menaxhoi mjaft mirë lojën dhe nuk i dha mundësi kundërshtarit të bëhet i rrezikshëm.

“më vjen keq se si e humbëm këtë sfidë, pasi luajtëm me personalitet dhe e mbajtëm larg kundërshtarin, por mjaftoi një veprim i bukur i Sissoko dhe ne u ndëshkuam, ndoshta edhe për shkak të fatit. Më vjen keq, pasi mund të kishim shënuar ne më parë dhe të kishim bërë më shumë kujdes, por tashëm jemi para këtij fakti. Barcelona ka një seri fitoresh radhazi në shtëpi dhe nuk besoj se do ta prishë ndaj Tottenhamit, megjithatë të shohim”, deklaroi Spalletti.

Tekniku zikaltër foli edhe4 për situatën e Nainggolan, me mesfushorin belg që u zëvendësua në minutën e 44-t të pjesës së parë, ndërsa deri në atë kohë nuk ishte dukur fare në fushën e lojës.

“Nainggolan kishte një problem në kavilje dhe ne luajtëm praktikisht me një lojtar më pak në pjesën e parë. Ai nuk vraponte dot dhe nuk godiste dot topin mirë, ndaj kjo na kushtoi shumë. Mendova të pres fundin e pjesës së parë, por kuptova se nuk ia vlente të prisja për asnjë sekondë”, u shpreh trajneri i Interit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat