Osmani: Të analizojmë ku kemi gabuar

Futboll

Osmani: Të analizojmë ku kemi gabuar

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 10:50
Osmani: Të analizojmë ku kemi gabuar

Seria e gjatë e Shkëndijës prej shtatë fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat është ndalur në xhiron e 17-të kur Akademia Pandevi rrëmbeu tre pikë në Tetovë me një gol të vetëm të Mario Krstovskit në minutën e 26-të. Sipas trajnerit Qatip Osmani skuadra nuk performoi në nivelin e duhur dhe mungoi kreativiteti e ideja në krijimin e rasteve para portës kundërshtare.

“Ne kundër ekipit luftarak të Akademia Pandevit nuk u përgjigjëm ashtu si duhet. Na mungonin kombinimet që i bëjmë në 20 metërshin e fundit para portës kundërshtare dhe nuk patëm ide si ta shpërthejmë mbrojtjen e Akademia Pandevit. Krijuam disa raste që nuk i realizuam dhe brengos fakti se nuk krijuam shumë raste dhe si rezultati i kësaj erdhi disfata”.

Shefi i stafit teknik Qatip Osmani shton se ekipi nuk reagoi mirë në pjesën e dytë pas vërejtjeve të dhëna në pauzën mes dy pjesëve.

“Tentuam të luanim më shumë në mes ku ishte e vështirë të depërtojmë dhe në pauzën mes dy pjesëve këshillova lojtarët të provojmë në krahë, të luajmë më shpejtë dhe të formojmë ato trekëndëshat përmes së cilëve në kampionat kemi shënuar shumë gola dhe natyrisht mos shpejtojmë pa nevojë. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta dhe humbëm, por mbetemi tre pikë para Vardarit dhe tashmë kthejmë vëmendjen për të fituar takimin e radhës”, tha Osmani.

Shkëndija tashmë sheh përpara dhe kthen vëmendjen ka dy sfidat e fundit të gjysmësezonit vjeshtor, të dielën me Renovën në kampionat dhe më pas të mërkurën e radhës me Pobedën në takimin e kthimit të çerekfinales së Kupës.

“Për ne është mirë të fitojmë dy ndeshjet e fundit dhe do të japim më të mirën për t’i fituar. Pas gjithë problemeve që kemi patur gjatë kampionatit, e kam fjalën për lëndimet e disa lojtarëve të rëndësishëm, sigurisht se do të na vijë mirë pauza kampionale ku do të konsolidohemi, të analizojmë ku kemi gabuar në këtë gjysmësezon dhe sa më të përgatitur të presim gjysmësezonin pranveror”, përfundoi Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat