Futbollisti brazilian: Në Shqipëri lojtarët keqtrajtohen

Futboll

Futbollisti brazilian: Në Shqipëri lojtarët keqtrajtohen

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 11:37
Elton Cale

Tashmë që makthi ka marrë fund dhe ka zbritur në fushë, duke shkëlqyer kundër Partizanit, anësori ofensiv i Flamurtarit Elton Cale nuk ka frikë nga asgjë dhe flet troç, duke lëshuar edhe deklarata të forta.

Nëse me gazetarët shqiptarë është i rezervuar dhe nën zë të thotë që të mos publikosh gjithçka të rrëfen jashtë kamerave, me gazetarët brazilianë Cale është më i hapur dhe odet me deklaratat e tij, duke thënë gjëra që në fakt nuk është se nuk i dimë këtu në Shqipëri, por pakkush e vret mendjen, sepse kështu jemi gatuar, prej dekadash nuk na bëjnë më përshtypje shkeljet e ligjit, në çdo fushë të jetës.

Yahoo Sports ka biseduar me ish-futbollistin e Kukësit, i cili tregon problemet që ka hasur në Shqipëri dhe muajt e kaluar ka futboll, për shkak se Kukësi kishte depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollit një kontratë të falsifikuar, sipas asaj që thotë Cale. Braziliani tregon se pas përfundimit të kontratës 1,5-vjeçare, Kukësi depozitoi në FSHF një kontratë të dytë, pa datë, si të ishte e re, nuk kishte përmirësim të kushteve financiare dhe kishte kohëzgjatje 1,5-vjeçare.

“Kur iu bashkova Kukësit, nuk firmosa menjëherë, pasi më thanë se duhej të kryeja testet mjekësore. Në atë kohë, kisha pak kohë që luaja me ekipin, ndërsa klubi më regjistroi, por asnjëherë nuk ma dhanë një kopje të kontratës. Vetëm se unë kam gjithçka në e-mail, ku më thuhej se kontrata pa datë shërbente vetëm për federatën, duke qenë se klubi nuk kishte arritur të përfundonte regjistrimin brenda afatit”.

“U besova, por nuk e kuptova se çfarë llumi ekziston këtu. Kukësi dëshironte që unë të kthehesha. Edhe unë e doja diçka të tillë, por pas asaj që ndodhi kjo ishte e pamundur. Nëse do të më kishin telefonuar për të rinovuar kontratën, padyshim që do të kisha pranuar, pa bërë lojëra. Më pas u kërkova një shifër më të lartë për të firmosur dhe ata nuk pranuan, ndaj iu drejtova FIFA-s”.

“Jam stërvitur prej muajsh me Flamurtarin, në pritje të vendimit të FIFA-s. Mund të vërtetoj gjithçka dhe avokati im ishte i bindur me 100 për qind se do ta fitonim çështjen. Federata mund ta kishte zgjidhur këtë çështje, pasi u paraqitëm provat që nuk e kisha firmosur kontratën e re, por duke qenë se zyrtarët e këtij institucioni janë miq me klubet, ata e pranuan. Menduan se do ta pranoja këtë marrëveshje, sepse kishte ndodhur edhe më përpara dhe lojtarët kishin frikë dhe tërhiqeshin nga e drejta e tyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat