Nuk ka rinovim, por Manchester United merr vendimin tjetër për De Gea

Futboll

Nuk ka rinovim, por Manchester United merr vendimin tjetër për De Gea

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 09:16
David De Gea

Manchester United ka ushtruar të drejtën e tij për ta vazhduar kontratën e David De Gea edhe për një vit tjetër, duke e mbajtur spanjollin në “Old Trafford” deri në vitin 2020. Portieri nënshkroi një kontratë të re katërvjeçare në shtator 2015, vetëm disa ditë pasi dështoi transferimi i tij te Real Madridi, ditën e fundit të merkatos.

Dhe, siç ka qenë politika e klubit të kohëve të fundit, Manchester United e vuri në lëvizje klauzolën e qëndrimit edhe një vit, deri në fund të sezonit 2019-2020. Ka pasur bisedime të vazhdueshme këtë sezon për një kontratë të re afatgjatë, por katër herë lojtari i vitit në Premier League nuk ka rënë dakord.

Në këtë mënyrë, “Djajtë e Kuq” kanë lëvizur brenda asaj që parashikon kontrata aktuale, duke i siguruar shërbimet e 28-vjeçarit edhe për 12 muaj. Ndërkohë që vendimi i Manchester United për t’i dhënë fuqi ligjore klauzolës përkatëse pritej të ishte formalitet, De Gea do të kishte qenë i lirë të fliste me klubet e huaja për një transferim potencial të verës 2019 që nga 1 janari.

Shpresa tani është që të dyja palët të bien dakord për një marrëveshje të re, përtej vitit 2020, me trajnerin Jose Mourinho duke thënë këtë javë se portieri spanjoll është më i miri në botë dhe klubi duhet të rinovojë me të.

E vetmja pengesë tani duket të jetë një konsensus mbi pagën. Ardhja e Alexis Sanchez në janar 2018, që ka kontratë të tillë, në vlerën e 390.000 £ në javë, e ka shtyrë De Gea të kërkojë rritje të konsiderueshme të pagës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat