“Tradhton” francezët

Futboll

“Tradhton” francezët

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 12:15
Franca

Mesfushori i Juventusit, Blaise Matuidi, beson se shoku i tij i ekipit, Cristiano Ronaldo, meriton ta fitojë “Topin e Artë”. Në këtë mënyrë, ai “tradhton” francezët e tij, që janë favoritë për këtë çmim, me të cilët fitoi Kupën e Botës kësaj vere, në Rusi.

33-vjeçari portugez është një kandidat për ta bërë të vetin çmimin prestigjioz individual për herë të gjashtë, pasi e udhëhoqi Real Madridin drejt fitimit për herë të tretë radhazi të Ligës së Kampionëve, sezonin e kaluar.

Superstari botëror kaloi te Juventusi në korrik, ndërsa bashkëlojtari Matuidi e mbështet atë për fitimin e “Topit të Artë”, verdikt që do të zbulohet të hënën. “Cristiano Ronaldo meriton ta fitojë atë, – tha francezi kampion bote për “Sky Sport Italia”. – Ai gjithmonë dëshiron të fitojë dhe me këtë gjë bën dallimin”.

Me Ronaldon në përbërje, Juventusi ka një ecuri mbresëlënëse të sezonit. Aktualisht është tetë pikë të qarta larg ndjekësit më të afërt, në krye të Seria A, dhe u kualifikua në fazat me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve.

Matuidi është i kënaqur me mënyrën si Juventusi ka luajtur në Europë, përveç humbjes shokuese ndaj Manchester United, më parë, këtë muaj: “Në Ligën e Kampionëve jemi duke bërë mirë. Patëm disa ndeshje të mira dhe u ndalëm vetëm kundër Manchester Unitedit, sepse nuk shënuam aq gola sa duhet”.

Ndeshja e ardhshme e sheh Juventusin të udhëtojë në Fiorentina, të shtunën, për ndeshjen e Seria A, para përplasjes me Interin, dhe pastaj sfida e fundit në grup e Ligës së Kampionëve, kundër Young Boys.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat