“As në tokë e as në ajër”

Futboll

“As në tokë e as në ajër”

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 19:12
“Santiago Bernabeu” të Madridit

Vetëm pak orë pasi është vendosur që ndeshja e kthimit e finales së Kupës Libertadores mes River Plate dhe Boca Juniors të luhet më 9 dhjetor në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Madridit, të gjitha fluturimet drejt Spanjës janë prenotuar. “Të gjitha fluturimet e ditëve të para të dhjetorit nga Argjentina për në Madrid janë kompletuar. Madje po mbyllen edhe prenotimet e linjave direkte ajrore nga qytete të tjera si Lima, San Paolo dhe Montevideo drejt Madridit e Barcelonës”, ka thënë sot për mediat ambasadori i Argjentinës në Spanjë, Ramon Puerta.

“Në rrugët e Madridit do të kemi mijëra argjentinas më 9 dhjetor. Fluturimet nga Argjentina drejt Spanjës për 10-ditëshin e parë të dhjetorit u mbyllën brenda 4-5 orësh pasi u mor vendimi për ta luajtur finalen në Madrid. Mendoj se “Santiago Bernabeu” ka për të qenë tepër i vogël për t’i mbajtur të gjithë tifozët që po vijnë, duke parë numrin e jashtëzakonshëm të kërkesave për bileta, shumica e të cilave janë shitur on-line. Do të vijnë shumë njerëz nga Argjentina dhe vështirë se do të ketë spanjollë në stadium në atë finale”, tha më tej Puerta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat