Juventusi e shkatërron Fiorentinën dhe e vazhdon ecurinë e përkryer në Serie A

Futboll

Juventusi e shkatërron Fiorentinën dhe e vazhdon ecurinë e përkryer në Serie A

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 20:02
Foto nga ndeshja

Juventusi e ka mundur bindshëm 3-0 Fiorentinën të shtunën në Florencë, duke e zgjatur në pesë ecurinë e fitoreve radhazi dhe duke e ruajtur rekordin e përkryer pa humbje në këtë sezon të kampionatit italian Serie A.

Skuadra e Massimiliano Allegrit, që po vinte në këtë takim në formë të lartë, e mundi lehtësisht një Fiorentinë të zhytur në rezultate negative, gjashtë ndeshje pa fitore.

Kampionit në fuqi iu desh gjysmë ore lojë për ta gjetur golin e epërsisë, kur Rodrigo Bentancur realizoi për 1-0 pas një soli aksioni të mrekullueshëm duke i kaluar disa lojtarë të Fiorentinës rrugës drejt golit.

Për ta dyfishuar epërsinë e “Zonjës së vjetër” u përkujdes kapiteni dhe qendërmbrojtësi Giorgio Chiellini, i cili në mënyrë akrobatike e mposhti Lafontin.

Dhjetë minuta para fundit, mysafirët fituan penallti, të cilën në gol e shndërroi sulmuesi portugez Cristiano Ronaldo.

Për Ronaldon, ky ishte goli i 10-të në 14 ndeshje të Serisë A.

Juve tani grumbullon plot 40 pikë, nga 42 të mundshme në këtë edicion deri tani. Një rekord i perkyer ky.

Përcjellësi i Juves, Napoli ka 11 pikë më pak në vendin e dytë, por po ashtu një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndërsa, Fiorentina mbetet në pozitën e 10-të me 18 pikë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat