Kryetari i FFK-së: Grupi është interesant! Selektori i Kosovës: Nuk është grup i lehtë

Futboll

Kryetari i FFK-së: Grupi është interesant! Selektori i Kosovës: Nuk është grup i lehtë

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 14:59
Kryetari i FFK-së: Grupi është interesant

Sot në Dublin është tërhequr shorti për kualifikimet e Evropianit 2020. Për herë të parë pjesë e këtij shorti ishte edhe Kosova, e cila në këtë ceremoni u përfaqësua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, përzgjedhësi Bernard Challandes, trajneri Muharrem Sahiti dhe menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala. Fati deshi që Kosova të tërhiqet në Grupin A, grup që përbëhet prej pesë ekipeve dhe aty krahas Kosovës do të jetë edhe gjiganti i futbollit, Anglia, pastaj Republika e Çekisë, Bullgaria dhe Mali i Zi. Një grup i vështirë, por jo edhe i pamundur për t’u kaluar, sidomos duke parë rritjen e ekipit tonë dhe përvojën e fituar në ciklin e kaluar kualifikues të Botërorit 2018, por mentalitetin fitues të krijuar në garat e Ligës së Kombeve, ku Kombëtarja jonë arriti të triumfojë në Grupin 3 të Ligës D. Kampionati Evropian 2020, i cili do të mbahet në 12 qytete të shteteve të ndryshme do t’i ketë 24 ekipe pjesëmarrëse. 20 nga ekipet që do të kualifikohen në finalet e Evropianit do të përcaktohen nëpërmjet kualifikimeve që nisin në muajin mars e përfundojnë në nëntor të vitit të ardhshëm. Pra, biletën për Euro 2020 e sigurojnë dy të parat e secilit grup, derisa katër vendet e tjera do të vendosen në “play-off”-in e Ligës së Kombeve që zhvillohet në mars të vitit 2020, e ku Kosova tashmë e ka siguruar një vend në gjysmëfinale dhe do ta ketë si mundësi shtesë, në rast se nuk e arrin kualifikimin nëpërmjet ciklit të rregullt kualifikues.

Deklaratat pas shortit

Agim Ademi, president i FFK-së: “Grupi është interesant, por unë i besoj ekipit tonë, i cili mund t’ia dalë në këtë grup. Besoj në cilësitë dhe përkushtimin e tyre, në punën e trajnerëve dhe gjithë organizimin tonë që do të bëhet. Mendoj se do t’ia dalim këtij grupi, edhe pse asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Por Kosova është në trendin e fitore, në trendin e rritjes dhe ngritjes së saj dhe faktikisht unë e shoh si grup i cili neve na konvenon. Në këtë grup e shoh kualifikimin, sepse duke u bazuar në formën dhe kualitetin e grupit të futbollistëve mendoj dhe besoj se do të jemi të kualifikuar nga ky grup”.

Bernard Challandes, përzgjedhës: “Nuk është grup i lehtë, por ne jemi Kosova. Nuk mund të themi se është një grup i lehtë, por nuk është i pamundur. Anglia është skuadër shumë e fortë dhe këtë e dimë. Por me skuadrat e tjera është e mundur. Unë kam besim në ekipin tim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat