Maradona sërish dështon të fitojë titull

Futboll

Maradona sërish dështon të fitojë titull

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 11:05
Diego Maradona

Pikërisht kur dukej se Diego Maradona do të fitonte trofeun e parë si trajner dhe më në fund do të tregonte se mund të bëjë gjëra të mira edhe në stol, ekipi i tij Dorados de Sinaloa e ka “tradhtuar”, në pengesën e fundit, në finalen e kthimit të Ascenso MX, në Apertura.

Në pjesën e parë të sezonit në divizionin e dytë meksikan Dorados bëri gjëra të mëdha nën drejtimin e Maradonës, duke shkuar deri në finale, ku fitoi 1-0 vajtjen ndaj Atlético San Luis dhe në kthim shkoi në avantazh 1-0 dhe më pas 2-1 pas një ore lojë.

Gjithsesi, në minutat 67 e 77 San Luis përmbysi gjithçka dhe me 3-2 ndeshja shkoi në shtesë, aty ku një gol në minutën e 104-t nga argjentinasi Leandro Torres vulosi rezultatin 4-2 për vendasit.

Maradona nuk ishte në stol, sepse u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e vajtjes, duke u detyruar ta ndiqte finalen e kthimit nga tribuna, me telefon në dorë gjithë kohën.

Gjithçka e kotë, sepse festa ishte e tëra për vendasit, ndërsa Maradona e mbyll pjesën e parë të sezonit si nënkampion, me 9 fitore, 2 barazime e 4 humbje në total.

Megjithatë, Atletico San Luis nuk është ngjitur në kategorinë e parë meksikane, sepse në pranverë do të zhvillohet Clausura dhe vetëm nëse fiton edhe atë kampionat do të ngjitet në elitë. Ndërkaq, Dorados de Sinaloa do të luftojë për të shkuar një hap më tej në pranverë, për të luajtur më pas finalen e madhe, sërish kundër Atlético San Luis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat