Shaqiri flet për festimin e Klopp: Ky ishte qëllimi i tij

Futboll

Shaqiri flet për festimin e Klopp: Ky ishte qëllimi i tij

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 17:10
Xherdan Shaqiri

Mesfushori i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, i ka dalë në mbrojtje trajnerit të tij, Jurgen Klopp, pasi ai u kritikua për mënyrën se si e festoi golin e fitores në ndeshjen kundër Evertonit.

Në stadiumin ‘Anfield’ dje u zhvillua derbi lokal mes Liverpoolit dhe Evertonit. Futbollisti i Zvicrës ka thënë se trajneri i tij reagoi në atë mënyrë për shkak të emocioneve.

Për skuadrën e Jurgen Kloppit ishin shumë të rëndësishme tre pikët e kësaj ndeshje për të mos mbetur shumë larg Manchester Cityt.

Deri në fund të ndeshjes, asnjëra nga dy skuadrat nuk kishte arritur të shënonte ndonjë gol, përkundër disa rasteve të mira, dhe dukej se Liverpooli i Kloppit do t’i humbiste dy pikë shumë të rëndësishme në këtë ndeshje.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Pak para se të përfundonte ndeshja, Divock Origi arriti ta shënojë golin e fitores. Ky gol shkaktoi një festim të madh nga ana e Kloppit, i cili vrapoi në fushë.

Kjo gjë mori shumë kritika nga publiku pasi që konsiderohej se Kloppi nuk kishte treguar respekt ndaj kundërshtarit.

“Ai kishte shumë emocione. U shënua goli i fitores në minutat e fundit të derbit, ndeshja ishte një ndeshje fantastike dhe kishte shumë emocione në atë ndeshje, kështu që ndodhi ajo gjë. Edhe shumë trajnerë kanë bërë gjëra të tilla”, ka thënë Shaqiri.

“Kjo është diçka e mirë dhe ai nuk e ka pasur qëllim të mos i respektojë kundërshtarët, por kishte shumë emocione. Mendoj se kështu është futbolli dhe kjo gjë mund të ndodhë dhe ishte shumë e mirë ta shohim një reagim të tillë nga një trajner”, përfundoi Shaqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat