Sërmaxhaj: Kemi pritur më shumë

Futboll

Sërmaxhaj: Kemi pritur më shumë

Nga: Kemajl Goca Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 10:31
Sërmaxhaj: Kemi pritur më shumë

Futbolli i Kosovës ka një ngritje të lehtë në cilësi, por që i duhet shumë punë për t’i mënjanuar edhe disa dobësi që janë paraqitur gjatë pjesës vjeshtore në Kampionatin e Kosovës.  Ish reprezentuesi i Kosovës, Genc Sërmaxhaj, ndryshe analist, tha se ashtu siç kishte deklaruar në fillim të edicionit, se katër skuadra do të jenë në garë për titull ashtu edhe doli. “Ashtu siç pata potencuar në fillim të këtij kampionati, ashtu doli të jetë! Katër ekipet më cilësore u dëshmuan dhe u veçuan nga të tjerat.

Prishtina, Feronikeli, Llapi dhe Drita, që nga këto kemi pritur rivalitet mes tyre, ashtu ishte ngase ishin më të mira sesa ekipet tjera, por gjithsesi edhe këto me disa mangësi që natyrisht se duhen përmirësuar”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Sërmaxhaj. 

Më tutje tha se ka qenë një kampionat mesatarë: “Një kampionat mesatarë me ngritje e ulje të nivelit të lojëve. Dallimin e bënin katër ekipet e lartpërmendura, të tjerat me shumë vështirësi në komponim dhe organizim të duhur”. Cilat skuadra avancuan shumë e cilat ngecën?  “Kemi pritur më shumë por nuk jam shumë i kënaqur me përformancën e ekipeve në këtë kampionat. Pa dyshim se kemi pak cilësi brenda ekipeve dhe ky është faktori kyç bashkë me përgatitjen fizike të futbollistëve”, përgjigjet Sërmaxhaj.

Ish futbollisti shprehet se duhet shumë punë nëpër klube, sidomos një angazhim më i madh i trajnerëve: “Të meta kemi mjaftueshëm por trajnerët janë ata që duhen analizuar më detajisht ekipet e tyre se ku kanë çaluar e ku janë përmirësuar. Por duhet një angazhim më i madh i trajnerëve me stafin e tyre që të gjejnë këto të meta dhe t’i reduktojnë”.  Sipas Sërmaxhajt, skuadrat që janë të renditura në pjesën e lartë të tabelës janë për një nuancë më të mira. “Ekipet e lartpërmendura, ato që veçse janë në kreun e tabelës, janë më të mira se sa ato që janë poshtë por edhe këto jo se kanë treguar diçka të jashtëzakonshme, por kanë shfrytëzuar rastet e tyre ndaj ekipeve inferiore”, ka thënë Sermaxhaj.   Edicioni vjeshtor ka qenë mjaft interesant por disa skuadra nuk i kanë realizuar aspiratat e tyre.

“Zhgënjyese ka qenë Liria e cila ka shumë dallim nga sezoni i kaluar, ndërsa ekipet tjera janë aty edhe ku e kanë vendin.  Shkaktari më i madh që nuk kemi shikueshmëri të mjaftueshme në shkallët e stadiumit, janë ndeshjet monotone që i sjell kampionati ynë.  Gjithashtu infrastruktura dhe shumë gjëra tjera përcjellëse”, theksoi ai.  Sermaxhaj nuk ka përmendur se cilët nga lojtarët e Superligës e mneritojnë të jenë pjesë e kombëtares së Kosovës. “Disa nga lojtarët që sezonin e kaluar u dëshmuan me paraqitjet e tyre të mira, këtë vit nuk kanë qenë në elementin e tyre të dëshiruar, dhe kur shohim ndeshjet e kombëtares sonë se si luajnë, atëherë duhet të themi drejt se jo. Këtë vit nuk po shoh futbollist që bën dallimin dhe asnjëri momentalisht as nuk i afrohet listës së përfaqësueses sonë e cila po shkëlqen me lojë dhe rezultate”, tha Sërmaxhaj. 

Duhet theksuar se skuadra që ka shënuar rekord të zi, pa dyshim se është KEK-u nga Kastrioti, e cila nuk ka arritur me shumë se një pikë dhe nga 17 ndeshje ka 16 humbje, vetëm një barazim, duke zhgënjyer tejmase tifozët e vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat