5 arsye, që e bëjnë të pamundur kthimin e Neymar te Barcelona

Futboll

5 arsye, që e bëjnë të pamundur kthimin e Neymar te Barcelona

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 16:08
Neymar

Publikisht, askush nuk ia ka mbyllur dyert Neymarit te Barcelona. Por, kthimi i tij në “Camp Nou” është më shumë se utopik, për 5 arsye, të cilat i rendit gazeta spanjolle pranë katalanasve, “Mundo Deportivo”.

1. Mënyra e largimit të tij nuk ishte e përshtatshme. Braziliani i fshehu qëllimet e tij, i gënjeu të gjithë, pagoi klauzolën e kontratës dhe u largua. Ai nuk tregoi thuajse fare ndjeshmëri për tifozët dhe drejtuesit e Barcelonës.

2. Ai ka një ankesë të paraqitur në gjykatë kundër Barçës, sepse dëshiron të marrë bonusin e rinovimit të fundit të kontratës, një vit para se ai të largohet.

3. Futbollistikisht, performanca e tij në 4 vite ishte nën pritshmëri. Messi është një lider, i cili e udhëheq ekipin katalanas prej më shumë se një dekade. Neymar, nga ana tjetër, është një i talentuar, që gjithmonë luante për të. Edhe mënyra se si po luan me Brazilin dhe PSG ka nxitur hezitime te Blaugranët. Kjo ka të bëjë me simulimet, çka e ka portretizuar atë si “teatral”.

4. Basti i vendosur për Dembélé. Shpejtësia, driblimi dhe mosha e talentit francez e joshën Barcelonën për të firmosur me të, duke besuar se mund të bënte ndryshimin. Nëse integrimi e tij në grup do të futet në kanale logjike, Dembele mund të bëhet një idhull në “Camp Nou”.

5. Dhe më e rëndësishmja, Nasser Al Khelaifi nuk do ta lërë brazilianin të rikthehet aty ku e pagoi kaq shtrenjtë, plot 222 milionë euro. Nëse e bleu me dëshirë Neymar, tani nuk do ta lirojë për asnjë çmim. Edhe vetë “të qarat” e Neymar nuk do ta zbusin presidentin e PSG. Përkundrazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat