Gjeraj: Fusha jonë nuk i konvenon Prishtinës

Futboll

Gjeraj: Fusha jonë nuk i konvenon Prishtinës

Nga: Kemajl Goca Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 19:29
Gjeraj

Liria nga Prizreni përgatitet maksimalisht për supersfidën e fundjavës, kundër kampionit vjeshtor Prishtinës. Synimi i prizrenasve është që të kualifikohen në rrethin e tretë të Kupës së Kosovës në futboll. Prizrenasit janë optimist se do ta arrijnë qëllimin, duke pasur parasysh përparësinë e faktorit fushë por edhe që janë në formë të mirë në javët e fundit. Kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj, shprehet se është atmosferë e mirë para kësaj sfide të madhe, aq me tepër që ndeshen me rivalin e vjetër e të përbetuar Prishtinën.  

Ballafaqimi mes Lirisë dhe Prishtinës do të luhet të shtunën (12.30) dhe pritet një numër i madh tifozëve të marshojnë drejt stadiumit “Përparim Thaçi”. Gjeraj tha se ndryshe janë ndeshjet e Kupës e ndryshe kur luhet në kampionat.  “Mendoj se ndeshjet për Kupë janë të veçanta, ku nuk llogaritet sikurse në kampionat se sa pikë mund t’i fitosh. Kupa është diçka tjetër dhe kampionati diçka tjetër, kështu që si klub jemi të mobilizuar me të gjitha forcat që të kualifikohemi dhe që do të jetë edhe një gëzim i madh edhe për tifozët tanë ‘Arpagjikët’”, thotë për gazetën kombëtare Gjeraj. 

Futbollisti tha se edhe pushimi ka ndikuar mirë te Liria, sidomos kur u zhvilluan garat e Ligës së Kombeve. “Jemi mirë me formë në pesë - gjashtë xhirot e fundit, veçmas pushimi ka qenë i mirëseardhur për ne kur luajtën kombëtaret, e cila na ka ndihmuar shumë për me u përmirësuar si ekip. Po ashtu edhe me ardhjen e trajnerit të ri (italianit Vincenzo Alberto Annese) kemi ndryshuar disa gjëra, si teknike e taktike”, theksoi ai. Gjeraj si aleat të fortë e sheh edhe terrenin kundër Prishtinës dhe sipas tij, nuk i konvenon Prishtinës. “Fusha jonë është me bari artificial dhe Prishtinës nuk i konvenon, kështu që shpresoj se kemi mundësi të mirë që të kualifikohemi”, shprehet optimist kapiteni. Të gjithë e presin me padurim sfidën e të shtunës, në fakt mund të vlerësohet edhe si finale para finales kur merret parasysh renomeja e këtyre skuadrave dhe sa herë janë ndeshur mes vete, edhe rivaliteti ka qenë i madh.

“Në faqen zyrtare tifozët ‘Arpagjikët’ kanë paralajmëruar se do të vijnë një numër i madh në stadium. Do t’i kushtojmë shumë rëndësi ndeshjes së Kupës, me synim me shkuar deri në finalen e madhe. Besoj se me ndihmën e tifozëve, si lojtar i 12-të do ta mposhtim Prishtinën”, tha Gjeraj. Prishtina ka ekip të fortë, sidomos në repartin e mbrojtjes. “Mendoj se Prishtina po luajnë lojë taktike dhe shihet edhe në kampionat se kanë pësuar pak gola dhe i dimë cilësitë e Prishtinës. Mendoj se ekipi ynë është i përafërt nga ana taktike dhe shpresoj se do ta shpërthejmë mbrojtjen e tyre.

Dihet se për Kupë njëra duhet të fitojë dhe me Prishtinën nuk mendojmë për barazim, por për fitore, sikurse mendojnë edhe ata”, theksoi ai. Fati i mirë për Lirinë është se janë komplet dhe kjo është edhe një pikë tjetër motivuese. “Jemi komplet dhe nuk na mungon asnjë lojtarë. Ndërkaq, sfidën e parë të kupës e kemi kaluar lehtë dhe bindshëm me 11:0 kundër Lugu të Baranit”, tha Gjeraj.

Sa i përket atmosferës, Gjeraj shprehet: “Atmosfera është shumë e mirë dhe kemi treguar lojëra të mira, ku edhe kemi qenë poshtë në renditje me pikë, por ia kemi dalë që të ngritemi dhe do të tentojmë t’i ikim barazhit. Besoj se nëse e kalojmë Prishtinën për Kupë, çdo gjë ka me u rregulluar edhe më mirë”, përfundoi Gjeraj.  Duhet theksuar se Liria përfundoi në vend të dhjetë me 19 pikë gjatë stinorit vjeshtor, por janë të bindur se do ta sigurojnë ekzistencën në Vala Superligën e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat