Gashi: Ferizajt i mungoi efikasiteti

Futboll

Gashi: Ferizajt i mungoi efikasiteti

Nga: Kemajl Goca Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 19:08
Gashi: Ferizajt i mungoi efikasiteti

Mos efikasiteti i sulmuesve, fillimi i përgatitjeve me vonesë, kanë qenë edhe shkaktarët që skuadra e Ferizajt nuk ka arritur rezultate të mira në pjesën e vjeshtore në elitën e futbollit të Kosovës. Sipas njohësve të futbollit, ferizajasit kanë arritur maksimumin, për shkak se edhe përforcimet janë bërë me vonesë po ashtu edhe përgatitjet i filluan pothuajse dy javë para fillimit të kampionatit. Ferizaj është në vend të parafundit (i 11-ti) me 15 pikë të mbledhura dhe është në zonën e rrezikut por me shpresë se do të ia dalin në stinorin pranveror.

Sulmuesi i Ferizajt, Dren Gashi, shpreson se në pranverë do t’i shmangen fundit të tabelës. Ferizaj është në një pozicion të palakmueshëm, a ka forcë në pranverë që të ikë nga fundi i renditjes? “Ai është edhe qëllimi ynë dhe besoj se do ia arrijmë, shpresoj edhe personalisht, po ashtu edhe klubi në vazhdim do të organizohet ende më mirë që në pranverë të marrim shumë më shumë pikë se sa këtë gjysmësezon dhe ti ikim zonës së barazhit”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Gashi.

Ferizaj ka synime që të jetë sa më lartë edhe në garat e Kupës së Kosovës. Ata sot do të luajnë në orën 12.30 si mysafirë i Fushë Kosovës dhe pretendojnë fitore që të avancojnë në çerekfinale.

“Ne jemi të fokusuar edhe në Kupë, pasi që ndeshjen e parë e kemi fituar dhe normalisht shkojmë për fitore”, theksoi ai. Më tutje tha se kanë edhe përvojën në krahasim me ‘hekurudhorët’: “Përparësitë besoj se dihen, kemi lojtarë me më shumë përvojë se Fushe Kosova”.  Çfarë nuk i shkoi  Ferizajt në vjeshtë? “Ferizajt në vjeshtë mendoj se i mungoi efikasiteti”, përgjigjet sulmuesi.  Futbollisti tha se ferizajasit i kanë synimet që të ikin nga barazhi.

“Synimet tashmë janë që të ikim sa më shumë nga zona e barazhit, që mos të përballemi prapë me ndonjë ndeshje në barazh, jo pse frikësohemi ndonjë skuadre të ligës së parë, por mendoj që jemi skuadër më e mirë se disa të tjera, që garojnë në Superligë dhe janë me pozitë më lartë se ne”, tha Gashi. Sulmuesi mendon se tri skuadra do të jenë në luftë për mbijetesë: “Në luftë për ekzistencë do të janë edhe Liria, Ballkani dhe Flamurtari”.

Për 17 ndeshje Ferizaj ka 3 fitore, 4 barazime e 10 humbje, me goldallim 9:21. Kjo është dëshmia më e mirë se sulmuesit nuk ishin efikas, në shumë raste iu mungoi edhe fati sportiv. Në fakt, ferizajasit kanë një përparësi që kanë trajner Afrim Tovërlanin dhe me të cilin shumë lehtë mund t’i ikin fundit të renditjes në pjesën pranverore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat