E gjithë vëmendja në Durrës, ja gjyqtarët e dy sfidave të sotme

Futboll

E gjithë vëmendja në Durrës, ja gjyqtarët e dy sfidave të sotme

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 09:36
Kukësi-Kamza

Java e 16-të e Kategorisë Superiore e ngriti siparin dje, me sfidën Kukësi-Kamza, e cila përfundoi me fitoren 1-0 të verilindorëve, falë një goli të shënuar me penallti, nga Cordeiro. Sot janë planifikuar të luhen dy ndeshje të tjera, ku spikat veçanërisht ajo e Durrësit, mes Teutës dhe Partizanit. Kjo për faktin se të kuqtë janë kryesues të garës, duan ta ruajnë dhe konsolidojnë vendin e parë, ndërsa “djemtë e detit” kanë ardhur në rritje progresive dhe tashmë shohin sa më lart. Ky ballafaqim do të startojë në orën 17:00, në “Niko Dovana”.

Më herët, në orën 14:00, Tirana dhe Kastrioti do të “përplasin brirët” në “Selman Stermasi”. Dy skuadra me traditë e historik krejt të ndryshëm, por që për momentin duket se kjo nuk vlen shumë. Bardheblutë janë më të titulluarit në Shqipëri, por e shohin veten në vendet e fundit të klasifikimit, ndaj ndeshja e sotme me krutanët konsiderohet mirëfilli mes dy rivalësh për mbijetesë. Nëse Kastrioti është zgjuar me ardhjen e Stavri Nicës si trajner, Tirana nuk e ka gjetur ende fitoren me Ardi Memën, çka do të thotë se situata sa vjen e bëhet më kritike.

Ndërkohë, FSHF ka përcaktuar edhe gjyqtarët e dy sfidave në fjalë, teksa interesimi më i madh është në Durrës. Për pasojë, në Teuta-Partizani do të kemi edhe gjyqtarë linje, ose siç njihen ndryshe, mbas portave. Më poshtë mund të njiheni me “bluzat e zeza” të secilës ndeshje të ditës së sotme.

Tirana-Kastrioti
Gjyqtarë: Laver Alla, Rudin Preca, Marjus Qose

Teuta-Partizani
Gjyqtarë: Klajdi Kola, Nertil Bregasi, Dojando Myftari, Kridens Meta, Olsi Sokoli

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat