Mungesa e Asanit

Futboll

Mungesa e Asanit

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 15:49
Lojtarët e Partizanit

Partizani i këtij edicioni ka rikthyer besimin tek tifozët për një titull kampion, i cili mungon që nga viti 1993. Nëse ka një virtyt kjo skuadër, ai viryt është karakteri. Humbja në shtëpi ndaj nëj rivali të drejtpërdrejtë mund të godasë në themel anën psikologjike, por “demat” reaguan pas disfatës me Skënderbeun, duke fituar 3 sfida radhazi. Në Vlorë erdhi një tjetër hap fals dhe në derbi gjithçka po shkonte drejt humnerës kur të kuqtë u ngritën në këmbë dhe të udhëhequr nga Hebaj triumfuan.

Në dizavantazh kundër Teutës ky ekip gjeti sërish rrugën për t’u rikthyer në lojë. Të gjithë futbollistët e Partizanit duket se këtë sezon më shumë se asnjëherë e ndjejnë peshën e fanellës dhe rëndësinë që ka historia e këtij klubi edhe ata të cilët kanë pak kohë që veshin fanellën e kuqe si p.sh. Telushi, Hila apo edhe Asani janë shndërruar në ultras të Partizanit.

Një tjetër test i rëndësishëm do të vijë të premten kundër Kukësit. Mungesa e madhe është ajo e Jasir Asanit, njeriu-gol në sfidën ndaj Teutës ka plotësuar numrin e kartonëve. Alternativat nuk janë të shumta për trajnerin Gega, në takimin ndaj durrsakëve iu desh të kryente 3 manovra për të zëvendësuar Ibrahimin e pezulluar, ndërsa 2 janë lëvizjet.

E para, me Malën, i cili do t’i lëshojë rolin e mbrojtjësit të djathtë Ibrahimit, duke u zhvendosur në të djathtë të mesfushës dhe me Hebajn në sulm, ndërsa e dyta, me Çinarin në të majtë, Malën në vedin e Asanit dhe me Mensah në mbështetje të Bardhit në sulm.

Në këtë rast Hebaj do ta niste nga stoli. Ndoshta është ende herët, por mangësia e alternativave e detyron teknikun të mos ketë shumë “asa nën mëngë” për të zëvendësuar të dëmtuarit ose të pezulluarit. Një tjetër handikap është stadiumi i boshatisur, për shkak të ndëshkimit të tifozëve, megjithatë ky Partizan në vështirësi është treguar edhe më i fortë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat