Zhdrella: Nuk dorëzohem!

Futboll

Zhdrella: Nuk dorëzohem!

Nga: Kemajl Goca Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 18:35
Mentor Zhdrella në veprim

Tri skuadra janë në garë të ashpër në luftë për titullin e kampionit të Kosovës. Prishtina është kampione vjeshtore me 40 pikë, ka një më shumë se Feronikeli nga Drenasi dhe pesë se Llapi, që e mban vendin tretë në renditjen tabelore në elitën e futbollit. Skuadrat tjera ngecin me pikë, si Gjilani që është në pozitën e katërt me 27 pikë apo ka 13 me pak se lideri, ndërsa kampioni në fuqi, Drita  renditet i gjashti me 23. 

Prandaj, Prishtina, Feronikeli dhe Llapi, do të luftojnë deri në fund se cila do të triumfojë në kampionat. Mesfushori më i mirë në vendin tonë, Mentor Zhedrella, shprehet se skuadra e tij, Llapi, ka treguar lojëra të mira në pjesën e vjeshtore dhe shpreson se në pranverë do të janë edhe më të mirë. Zhdrella mendon se duke i parë të gjitha zhvillimet që ndodhën gjatë vjeshtës, skuadra tij është mjaft mirë në renditjen e klasifikimit. “Të them të drejtën, Llapi është mjaft mirë,  duke marr parasysh rrethanat që kanë ndodhur në Llap, mes kryesisë, kështu që kemi mundur të devijojmë edhe me pikë. 

Jam i kënaqur me rezultate dhe pozita është  reale”, tha Zhdrella për gazetën kombëtare “Bota sot”.   Llapjanët kanë pasur një periodë shumë të keqe gjatë kampionatit, e cila ka reflektuar edhe në rezultate, që nga koha kur kishin telashe me trajnerin e shkarkuar Bylbyl Sokolin dhe pastaj me largimin e një numri të madh nga kryesia e klubit. Megjithatë drejtori sportiv Tahir Batatina ka gjetur forcë për t’u riorganizuar, pruri trajner të ri Bekim Shotanin dhe vazhduan gradualisht me rezultate të mira, duke përfunduar vjeshtën në vend të tretë. 

Zhdrella tha se është fakt që janë dëmtuar në disa ndeshje. “Jemi dëmtuar në disa ndeshje”, tha ai. Mesfushori bëri të qartë se duhen edhe disa përforcime që të janë edhe më të fortë dhe konkurrentë të fuqishëm për titullin e kampionit: “Llapi ka potencial por i duhet së paku 5 a 6 përforcime, flas për lojtarë cilësor, për lojtar të dëshmuar dhe që kanë bagazh, që të jemi pretendent për titull”. A janë pesë pikë shumë larg vendit të parë? “Nuk do të dorëzohemi deri në fund, por ka kohë, sigurisht ky është mendimi im, kështu që për këto gjëra janë njerëz kompetent që mund të flasin, por unë e dhash mendimin tim se çfarë mund të bëhet më shumë. E jona është të japin më të mirën në fushë, të shënojmë rezultate të mira dhe t’i kënaqim tifozë tanë”, tha Zhdrella.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat