Letra prekëse e shqiptarit

Futboll

Letra prekëse e shqiptarit

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 19:25
Foto Strakosha flet me emocione për të birin

Në çdo intervistë, Foto Strakosha flet me emocione për të birin dhe shpesh vihet në vështirësi. Arsyeja? E thjeshtë, është babai dhe heroi i atij që po përjeton një karrierë me hapa gjigantë dhe, mbi të gjitha, ka bërë histori në të njëjtin profesion që ka nisur i biri.

Së fundmi, në mediat greke, është publikuar letra që Foto i ka dërguar Thomasit mbi rrënjët shqiptare të ish-kapitenit dhe portierit legjendar të Shqipërisë. Ja letra e Fotos drejtuar të birit:

“Po kthehem nga stadiumi pas një derbi të ndjerë Lazio-Roma, ndeshja e radhës që të pashë të luaje e po dridhem akoma. Çuditem sepse nuk e kisha imagjinuar se mund të provoja ende ankth në krahasim me atë që kisha si lojtar, por në fund asgjë nuk është e krahasueshme me stresin me të cilin jetoj kur të shoh ty të luash.

Ndoshta, po të mos kisha qenë portier, injoranca do të kishte qenë një ndihmë e madhe. Duke e njohur mirë rolin, jam shumë i preokupuar për gjithçka mund të ndodhë në çdo moment. Po mendoj për dëshirën për t’u vënë në vendin tënd, jo për momentet e lavdisë, ato janë të gjitha për ty. Flas për momentet e vështira, sidomos për ato. Më beso, e di që nuk funksionon kështu, por si thuhet nga anët tona ‘shpërblimin pa lodhje mund ta marrësh vetëm nga babai ose qeni’.

Duke të parë ty, iu riktheva kujtimeve dhe kur kam qenë në Memaliaj, ku kisha një idhull, i cili quhej Perlat Musta. Falë tij vesha dorezat dhe nuk i braktisa kurrë. Ekipi i parë ishte Tepelena në Kategorinë e Dytë. Pas disa vitesh, kur isha 17 vjeç u bëra portier profesionist dhe titullar fiks.

Në moshën tënde, shkova te Dinamo me të cilën në tri vite fitova 3 trofe të rëndësishëm, një kampionat dhe dy Kupa. Në një barkë me shpresë, siç thuhej atëherë, vendosa të lë gjithçka, vendlindjen time që e respektoj, Shqipërinë, miqtë dhe futbollin për t’u larguar në Greqi.

Nuk do e harroj kurrë natën e errët të udhëtimit nga Kakavija për në Janinë. Mrekullia ndodhi kur në familjen që na mbajti, ra zilja dhe mësuam se presidenti i Janinës donte të takohej me mua. E gjithë kjo, falë taksistit që më njohu kur na bëri transportin dhe, për fat, ishte fans i madh futbolli. Kur firmosa me PAS Janinën, ëndrra ime nisi të bëhej realitet. Ndeshja e parë ishte ndaj Panathinaikosit, prita penallti ndaj Sarauak në ndeshjen që përfundoi 2-1 dhe për atë do mbahem mend gjatë. Në 26 tetor ishte momenti më i lumtur në jetë.

Lindi fëmija ynë i parë dhe më pas vëllai yt, Dhimitri. Ishte si një mrekulli e madhe për mua dhe mamanë tënde. Greqia u bë shtëpia ime dhe vendi ku u rrit familja jonë, ndërsa Shqipëria vendlindja. Impakti yt me futbollin ishte si ëndrra e çdo babai për të birin. Je rritur duke më pasur mua si idhullin tënd, si pikë referimi. Duhet të të rrëfej se kënaqësia ime ishte e pamasë kur kthehesha në shtëpi e të gjeja duke parë videot me pritjet më të mira që kisha bërë në vite. Aty e kuptova vendosmërinë tënde për t’u afirmuar në botën e futbollit.

O Zot, sa i vendosur ishe… Që 10 vjeç nise të organizosh jetën tënde, për të qenë në maksimum në stërvitje. Në fillim te Panionios, pastaj tek APOEL. Në Qipro kuptova që nuk ishte vetëm vendosmëri, por pasioni dhe ëndrra jote. E vetmja gjë që të mungonte ishte eksperienca. Pas një kthimi të shkurtër te Panionios erdhi oferta e Lacios nga Italia. Nuk do ta harroj kurrë udhëtimin familjar në Itali, kur ishe i vogël dhe pamë stërvitjen e mikut tim Dimitris (Eleftheropoulos) në Trigoria. Kur u ktheve në shtëpi shkrove pas një fotoje – në ‘Piazza del Popolo’, nëse nuk gabohem – ‘këtë herë si turist, tjetra si futbollist profesionist’.

E ndieje që në atë kohë Thomas. U bëre portier i një prej klubeve të mëdha të Europës dhe ke fituar tashmë një Kupë e një Superkupë italiane. Vendose të veshësh fanellën e Shqipërisë, të cilën e kisha mbrojtur 73 herë dhe zgjedhja jote më bëri krenar sepse e dija që arsyeja e saj nuk ishte ndryshe nga ajo në respekt të rrënjëve të prindërve të tu, duke ditur edhe se sa ti dhe vëllai yt e doni dhe respektoni Greqinë. Tani i ke hapur krahët e po fluturon biri im. Meriton gjithçka po jeton, është aftësia jote. Duhet ta pranoj se ta admiroj karakterin.

Jam krenar për ty, po ndjek ëndrrat e tua, duke fituar objektivat personalë njëri pas tjetrit. Thuhet se dhurata më e rëndësishme që një baba mund t’i bëjë të birit, është ta bëjë më të mirë. Ne ia kemi dalë bir. Duhet vetëm të shijoj rrugëtimin tënd në të mirë e në të keqe, sepse është një udhëtim i mrekullueshëm që pak kanë fatin ta jetojnë.

Shpresoj vetëm që bashkë me mamanë tënde, Adelina, të kemi ndërtuar bazat solide për të të bërë të jesh i qetë në një nivel kaq të lartë. Është një kënaqësi e madhe ta di që je i lumtur, pavarësisht se ke zgjedhur një rrugë jo të lehtë. Dedikimi yt dhe sakrificat e tua tregojnë respektin që ke për atë që bën.

Mos u merr me mua, unë do jem gjithnjë në ankth, do ta kem gjithnjë zemrën që rreh fort sa herë të shoh të zbresësh në fushë të luash. Një pjesë e imja do të jetë gjithnjë aty me ty, të mbrojë portën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat