“Transformimi i Arsenalit? Meritë ka një lojtar që po e kërkonim prej një dekade!”

Futboll

“Transformimi i Arsenalit? Meritë ka një lojtar që po e kërkonim prej një dekade!”

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 13:54
Arsenali

Ish-legjenda e Arsenalit, Paul Merson, beson se Arsenali ka gjetur më në fund futbollistin që kërkonte prej më shumë se një dekade dhe ai është Lucas Torreira, mesfushori i cili i ka transformuar “Topçinjtë”.

Torreira, 22 vjeç, ishte një prej blerjeve të para të trajnerit Unai Emery këtë verë, për 30 milionë euro nga Sampdoria, pas një Botërori fantastik me Uruguain.

Mesfushori ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit, duke qenë Njeriu i Ndeshjes dhe duke shënuar në dy sfidat kundër Tottenham e Huddersfield.

Duke folur për Sky Sports, Merson ka fjalë të mëdha për Torreira-n: “Që nga koha e Gilberto Silva dhe Patrick Vieira Arsenali kërkonte me dëshpërim një lojtar të tillë. Ai vrapon, lufton, mbyll hapësirat, ushtron presion vazhdimisht. Nuk është një pasues natyror, por ai përcakton ritmin e lojës në mesin e fushës.

“E kam thënë për vite me radhë: Arsenali është një ndër skuadrat më të mira në botë kur ka topin, por në 4-5 vitet e fundit ka qenë një ndër skuadrat më të këqija në botë pa top. Torreira e ka ndryshuar këtë gjë.

“Me të në fushë, është një efekt domino dhe të gjithë vrapojnë, duke ushtruar presion te lojtarët kundërshtarë. Edhe sjellja e tij është fantastike, është një lojtar që fut entuziazëm në ekip, aq më shumë që kohët e fundit ka shënuar edhe gola me shumë peshë”.

Sipas Merson, Torreira ka hapësira për përmirësim, por është një surprizë që ndoshta as Arsenali nuk e mendonte: “Liverpool nuk do e blinte Torreira-n nesër në mëngjes, mendoj se asnjë nga 4 ekipet e kreut nuk do e blinte. Ai mund dhe do të përmirësohet, edhe pse ka qenë fantastik deri tani. Të gjithë e dinin që një si Torreira duhej patjetër, edhe Wenger e dinte, por ai ishte tepër kokëfortë për të shpenzuar në merkato dhe për të afruar një lojtar të tillë, që ndoshta te ndonjë ekip tjetër nuk do binte në sy”.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat