Në kundërsulm

Futboll

Në kundërsulm

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 12:00
Luka Modriç

Luka Modriç është një nga ata futbollistë që qëndron larg gazetarëve, flet shumë rrallë dhe zakonisht mundohet të evitojë polemikat.

Megjithatë, për herë të parë që pas triumfit në garën për Topin e Artë, mesfushori kroat ka dhënë një intervistë dhe e ka bërë për të përditshmen kroate ‘Sportske Novosti’, ku ka zbrazur dufin e akumuluar gjithë këto muaj dhe sidomos pas marrjes së Topit të Artë, ku të shumtë janë ata që mendojnë se Ronaldo e Messi duhej të ishin sërish në dy vendet e para dhe zgjedhja e France Football ka qenë më shumë politike.

“Nuk e di pse Messi e Ronaldo nuk erdhën në ceremoninë e Topit të Artë, është zgjedhja e tyre. Problemi është se Topin e Artë e fitova falë votave të gazetarëve, trajnerëve, futbollistëve, dhe është mungesë respekti ndaj tyre që të thuash se Topi i Artë ka vlerë vetëm nëse e fitojnë Messi e Ronaldo. Nuk është e ndershme kundrejt votuesve, por edhe kundrejt futbollistëve që janë përfshirë në listën e kandidatëve në 10 vitet e fundit. Nuk është e ndershme për futbollin dhe për tifozët, apo gabojnë të gjithë ata që votuan?

“Topi i Artë i jepet një futbollisti që ka bërë diçka në një vit të caktuar, jo futbollistit më të mirë në planet. Nëse vendos kriteri i dytë, Messi e Ronaldo janë dy fenomenë që kanë dominuar botën në 10 vitet e fundit dhe fitojnë gjithçka derisa të lënë futbollin nëse votohet për cilësinë e lojtarëve, por nuk funksionon kështu”.

Modric ka sulmuar edhe Diego Simeonen, i cili në një intervistë pak ditë më parë aludoi se pushteti dhe emri i Realit vendosin për trofetë: “Jam dakord me Simeonen kur mbron lojtarin e tij dhe thotë se Griezmann është më i miri në botë, por nuk ka arsye pse të sulmojë vazhdimisht Realin dhe lojtarët e tij, duke gjetur arsye josportive për të shpjeguar triumfet e Realit. Kam shumë respekt për Simeonen, Atleticon dhe tifozët e tij, por humbjet duhen pranuar me dinjitet e sportivitet. Nuk është e ndershme dhe korrekte të thuhet që arritjet tona, përfshirë dy finalet e fituara ndaj Atleticos në Champions League, janë rezultat i favorizimit të Realit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat