Futbollistët padisin Besën! Sahiti tregon sa paga ua ka borxh

Futboll

Futbollistët padisin Besën! Sahiti tregon sa paga ua ka borxh

Nga: Kemajl Goca Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 19:00
Samir Sahiti

Diçka nuk po shkon mirë në klubin e futbollit Besa nga Peja, duke iu referuar edhe futbollistit Samir Sahiti, i cili është larguar nga ky kolektiv me traditë. Jo vetëm me kaq, por Sahiti me disa nga futbollistët e kanë paditë Besën në FFK respektivisht në dhomën e konflikteve! Sahiti tha se nëse kjo çështje nuk zgjidhët në këtë organ do t’i drejtohen edhe asociacionit më të lartë në UEFA.

Sahiti ka treguar edhe emrat tjerë të futbollistëve, që janë drejtuar FFK-së për të kërkuar drejtësi me rastin e Besës. Situata është mjaft e vështirë, ndërsa kjo çështje pritet shumë shpejt të zgjidhet dhe në anën tjetër, edhe klubi me renome Besa pritet të sqarojë fije e për pe situatën që është përfshirë me futbollistët.  Sahiti që luan në repartin e mesfushës dhe mbrojtës i krahut të djathtë, krahas që kërkon obligimet ‘i shlyhen nga FC Besa,  ka treguar se edhe ku mund ta vazhdojë karrierën.

“Bota sot”: Samir, largoheni nga Besa, ku tash e tutje?

Samir Sahiti: Po, nesër do t’i marrim fletëlëshimet në FFK për arsye të moskryerjes së obligimeve nga ana e Besës dhe vazhdojmë me padinë e radhës për borxhet që na kanë.

“Bota sot”: Ka shumë obligime Besa?

Samir Sahiti: Po, ka shumë obligime për të cilat do të vazhdojmë me padi drejtuar në FFK, më saktësisht në dhomën e konflikteve e cila këtë vit ka filluar të funksionoj te ne.

“Bota sot”: Thoni me padinë e radhës, ku do ta padisni?

Samir Sahiti:  Së pari në FFK më saktësisht në dhomën e konflikteve, ku bën pjesë edhe një prokuror, besoj që do na ndihmojnë për pagesat, nëse jo do ta angazhojmë edhe një avokat drejt UEFA-s, por fillimisht kemi besim të FFK. Por një gjë është e sigurt se kësaj pune do t’i shkojmë deri në fund, sepse është djers e jona.

“Bota sot”: Cila është përgjigja e KF Besës, a ka ujdi mes jush dhe klubit pejan?

Samir Sahiti:  Përgjigja e vetme e tyre ka qenë heshtja dhe as nuk ju ka interesuar për ndonjë marrëveshje ose ujdi.

“Bota sot”: Cilët janë futbollistët tjerë që janë ankuar në FFK krahas jush?

Samir Sahiti:  Samir Sahiti, Edmond Turku, Festim Krasniqi, Lauren Ismajlaj, Bergin Maliqi, Almedin Murati, por këto ditë pritet edhe tjerë të ankohen në FFK.

“Bota sot”: Sa është borxhi i Besës ndaj jush?

Samir Sahiti: Janë më shumë se 3-4 paga dhe pjesë të kontratave të cilat kishim për t’i marrë qysh në fillim të sezonit.

“Bota sot”: Ku është caku juaj?

Samir Sahiti: Kam dy oferta serioze, një nga Superliga dhe një nga liga e parë, më saktësisht Vëllaznimi. Besoj se kjo e fundit ka projekt serioz dhe punë profesionale që po bëjnë gjatë gjithë kohës, tash së fundmi edhe me super trajnerin Munishi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat