Dukagjin Gashi: Fushat janë shumë të dëmtuara!

Futboll

Dukagjin Gashi: Fushat janë shumë të dëmtuara!

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 10:38
KF Dukagjini

Asnjë skuadër nuk e ka qetësinë për stinorin pranveror në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Më shumë se 5-6 skuadra luftojnë për dy vendet e para që shpie direkt në elitë, kurse të tjerat për plasman më të mirë dhe disa që të ikin nga zona e rrezikut! Dukagjini i Klinës ka pasur ecuri të mirë, nga 16 ndeshje ka 10 fitore, 3 barazime e 3 humbje, duke u renditur në vend të tretë me 33 pikë, pesë me pak se kampioni vjeshtor Vushtrria, dy me pak se Besa dhe dy më shumë se pozita e 4-të, Vitia. 

Dukagjini pretendon elitën dhe beson se ka forcë që të realizojë qëllimin që ka para vetes.  Futbollisti me përvojë, Dukagjin Gashi, shprehet se kanë një ekip të mirë dhe ka besim se do të arrijnë në dy vendet e para. Mesfushori qendror tha se u desh më pas me shumë pikë, por gabuan në Mitrovicë në duel me Trepçën dhe me Istogun.  Futbollisti tha se gara për dy vendet e para do të jetë shumë e fortë, por beson e shpreson se në fund do të dalin në dy vendet e para dhe të ngjiten në shoqërinë e më të mirëve.

“Bota sot”: Dukagjini përfundoi në vend të tretë me 33 pikë, ka arritur maksimumin apo keni pritur më shumë gjatë stinorit vjeshtor?

Dukagjin Gashi: Besoj që kemi mundur më shumë, përveç që i kemi pas  dy gabime, në Mitrovicë që kemi humb edhe në Istog, mendoj që nuk u dashtë mi humb në bazë të cilësisë së ekipit, por ky është futbolli. Mbi të gjitha,  mendoj që e kemi krye një gjysmë kampionat  të suksesshëm.

“Bota sot”: Si e sheh ligën e parë, ka më shumë cilësi dhe çfarë i ka munguar?

Dukagjin Gashi: Mendoj që në krahasim me vitet tjera ka shumë më shumë cilësi liga e parë dhe shumicës së stadiumeve i mungon infrastruktura, fushat janë shumë të dëmtuara, kanë pak kualitet për futboll.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh për dy vendet e para?

Dukagjin Gashi: Mendoj që në dy pozitat e para deri në fund të kampionatit do të jemi ne dhe Besa. Po ashtu është një kampionat interesant, duke e marr parasysh që e kemi edhe Vushtrrinë konkurrent të fortë, po ashtu Vëllaznimin dhe mendoj që Vitia do të luajë rol të madh deri në fund. Ka shumë ndeshje deri në fund dhe mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Dukagjinit?

Dukagjin Gashi: Mendoj që i duhet të jetë më syçelë në sezonin pranveror, sidomos në mbrojtje, për arsye që kemi pësuar shumë gola dhe kjo nuk duhet lejuar për një ekip që i ka pretendimet për inkuadrim në Superligë.  Prandaj, nuk bën t’i pësosh kaq shumë gola.

“Bota sot”: Sa është vështirë të luash në Ligën e parë, a luhet korrekt si mysafirë?

Dukagjin Gashi: Ka dalim me Superligën e Kosovës në çdo aspekt, por sa i përket korrektësisë është shumë korrekt kur luan edhe si mysafirë.

“Bota sot”: Si e sheh Dukagjinin deri në fund dhe sa jeni i kënaqur me kushtet?

Dukagjin Gashi: Dukagjinin në fund të kampionatit e shoh në Superligë. Sa i përket kushteve i kemi perfekt me të gjithë. E  falënderoj drejtorin e klubit Fabian Veselin për korrektësinë në të gjitha aspektet i cili na qëndron mbrapa, nuk kemi as më të voglin vështirësi sa i përket organizimit. E jona është të japin maksimumin dhe ndeshje pas ndeshje të mbledhin pikë, që të jemi në dy vendet e para në fund të kampionatit dhe të hyjmë në elitën e futbollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat