Gjakova kërkon lirimin e Tomorr Morinës, i arrestuar me fletarrest nga Serbia

Gjakova

Gjakova kërkon lirimin e Tomorr Morinës, i arrestuar me fletarrest nga Serbia

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 10:55
Tomorr Morina

Edhe pse ishte thënë se do të lirohet shumë shpejt, Tomorr Morina, ish-pjesëtar i UÇK-së vazhdon të mbetet në Maqedoninë Veriore, ku u burgos me fletarrest të lëshuar nga Serbia.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në vendlindjen e tij, në Gjakovë, nga institucionet lokale, shoqatat e dala nga lufta, partitë politike dhe qytetarë të tjerë.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, deklaroi se autoritetet duhet të intervenojnë urgjentisht tek qeveria maqedonase dhe Tomorri të lirohet sa më parë

“Ndalimi i Tomorr Morines nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut është edhe një rast brutal i abuzimit të Serbisë me qytetarët e Kosovës. Autoritetet tona duhet të intervenojnë urgjentisht tek qeveria maqedonase dhe Tomorri të lirohet sa më parë”, tha Gjini.

Deputeti nga radhët e PSD-së e që vjen nga ky qytet, Driton Çaushi, tha se institucionet e Kosovës do duhej të ishin në gjendje të jashtëzakonshme deri në lirimin e Tomorrit.

“Rasti i Tomorr Morinës dhe heshtja institucionale po na e dëshmon edhe njëherë dështimin e plotë të shtetit të Kosovës për t’i dalë në mbrojtje luftëtarëve të lirisë. Institucionet e Republikës së Kosovës do duhej të ishin në gjendje të jashtëzakonshme dhe të mos ndaleshin së vepruari deri në lirimin e Tomorit”, deklaroi ai.

Partia më e madhe opozitare lokale Alternativa e vlerësoi të paparanueshëm arrestimin e Morinës. Ata kërkojnë që të shtohet presioni për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së.

“Nuk mund të injorohet kjo padrejtësi nga institucionet tona, vetëm se Tomorri nuk është figurë politike. Përkundrazi reagimi institucional duhet të jetë edhe më i zëshëm, ngase Tomorr Morina ishte luftëtar i lirisë dhe si i tillë nuk mund të arrestohet me fletarrestet e Serbisë. Gjakova me ty Tomorr”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Në lidhje me këtë arrestim ka reaguar edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë që deklaruan se e kanë marrë me shqetësim lajmin për arrestimin e Morinës dhe caktimin me 30 ditë paraburgim.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të veteranit dhe bashkëvendësit tonë. Njëherit kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës reagim zyrtar të menjëhershëm duke kërkuar lirimin dhe kthim në Kosovë të veteranit të luftës,Tomorr Morinës. Njëherit kërkojmë nga institucionet përdorimin dhe vënien në dispozicion të të gjitha mjeteve politiko – diplomatike që raste të tilla në të ardhmen të mos ndodhin”, thuhet në reagim.

OVL UÇK-së, dega e Gjakovës, u shpreh e befasua se si po respektohen urdhërarrestet e një shteti i cili ka ushtruar gjenocid popullin tonë. Ata kanë kërkuar menjëherë lirimin e bashkëluftëtarit të tyre dhe akte të tilla të mos përsëriten.

“Ne i respektojmë institucionet e Maqedonisë Veriore dhe të arriturat e tyre në rrugën euroatlantike, si dhe bashkëpunimin e saj me Republikën e Kosovës, por vendimet e Millosheviqit nuk duhet të zbatohen nga një shtet i civilizuar”, thuhet në reagim.

Edhe Zyra për krimet e luftës në Komunën e Gjakovës ka lëshuar një deklaratë për media ku i kërkojnë urgjentisht ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, të ndërmarrë masa dhe konsultime për lirimin e luftëtarit Tomor Morina

“Luftëtarët e UÇK-së kanë nevojë për drejtësi dhe jo akuza të rrejshme! Por, drejtësia nuk ngadhënjen me dënimin e atyre që kapën pushkët në mbrojtje të popullit. Dënimi i atyre që i dolën përballë makinerisë gjenocidare serbe, është një turp dhe një krim i dyfishtë mbi popullatën shqiptare të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat