Gjakova për 30 ditë pa asnjë të infektuar me Covid-19

Gjakova

Gjakova për 30 ditë pa asnjë të infektuar me Covid-19

Më: 15 maj 2020 Në ora: 17:12
Ilustrim

Komuna e Gjakovës po thuajse ka mposhtur pandeminë të quajtur Covid-19. Në këtë komuna ka gati katër javë që nuk është shënuar asnjë rast i ri me koronavirus. Ndërsa të gjitha rastet janë konfirmuar si të shëruar.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini në një prononcim për KosovaPress ka thënë se situata e pandemisë në këtë rajon është menaxhuar mirë.

Pavarësisht që nuk ka asnjë rast të ri, Gjini ka thënë se kujdesi duhet të jetë në maksimum.

“Ka diku katër javë që në Gjakovë nuk kemi raste të reja dhe pothuajse 3 javë që janë shëruar të gjitha ata që kanë qenë të infektuar me COVID-19, nuk kemi më të infektuar pothuajse që tri javë që nuk kemi të infektuar por kjo nuk do thotë që nuk duhet të kemi kujdes sepse Kosova është e vogël dhe nuk guxojmë të relaksohemi dhe të mendojmë që e kemi tejkaluar”, ka thënë Gjini.

Gjini tha se masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit po respektohen nga qytetarët.

Ai shpreson që shpejt do të hapen bizneset pasi që dëmet janë të mëdha në këtë sektor.

“Mund të them që pjesa dërrmuese e qytetarëve të Gjakovës i kanë respektuar masat të cilat janë vendosur për parandalimin ose për ngadalësimin e përhapjes të koronavirusit. Kemi dalje më të mëdha ditëve të fundit, ekzistojnë një liri më e madhe e daljes… unë shpresoj që nuk do kemi raste të reja dhe që shumë shpejt do hapet ekonomia, do hapen bizneset sepse dëmet janë të mëdha”, thotë Gjini”, ka thënë ai

Kujtojmë që nga data 8 shkurt deri më 14 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.942 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 945 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 690 raste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat