Vërshimet në Kosovë, FSK evakuon 60 qytetarë në Gjakovë

Gjakova

Vërshimet në Kosovë, FSK evakuon 60 qytetarë në Gjakovë

Më: 9 janar 2021 Në ora: 20:48
Foto

Forcat e Sigurisë së Kosovës u kanë dalë në ndihmë qytetarëve pas vërshimeve të djeshme dhe të sotme që kanë ndodhur në disa vende të Kosovës.

Në njoftimin e bërë nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se FSK ka ndihmuar në disa lokacione ku është rrezikuar jeta e qytetarëve.

“Pas gjendjes së krijuar me reshjet në nivel vendi, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur gjendjen e gatishmërisë, ku gjatë orëve të vona ka realizuar operacionet e Kërkim – Shpëtimit në disa lokacione ku është rrezikuar jeta e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se “Ekipet e Kërkim – Shpëtimit të Gardës Kombëtare të FSK-së janë mbështetura nga Kompania për Operacione Civile dhe Policia Ushtarake e FSK-së dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”.

Ministria njofton se FSK ka evakuar 60 qytetarë në Gjakovë, të cilët janë strehuar në Aeroportin e Gjakovës.

“Operacionet janë realizuar me sukses dhe kanë arritur të evakuojnë qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre. Komanda e Forcave Tokësore ka evakuuar 60 qytetarë të Komunës së Gjakovës dhe i ka strehuar ata në Aeroportin e Gjakovës për strehim të përkohshëm”, vijon njoftimi.

Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe borës në disa komuna në Kosovë janë shkaktuar vërshime. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat