10 mësimdhënës dhe 12 nxënës të infektuar me COVID-19 në Gjakovë

Gjakova

10 mësimdhënës dhe 12 nxënës të infektuar me COVID-19 në Gjakovë

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 17:11
Gjevalin Nikollbibaj

Dhjetë mësimdhënës dhe dymbëdhjetë nxënës aktualisht janë pozitivë me koronavirus në komunën e Gjakovës. Por përkundër kësaj nga kjo komunë thonë se procesi mësimor po shkon mirë.

Drejtori i Arsimit në komunën e Gjakovës, Gjevalin Nikollbibaj, deklaroi se testimi masiv i mësimdhënësve dhe nxënësve në dy shkolla të mesme ka përfunduar dhe së shpejti pritet të përfundojë edhe dy shkollat tjera.

“Procesi mësimor në komunën e Gjakovës po shkon mirë, sa i përket numrit të të infektuarve është numër i vogël në raport me atë që po kemi gjatë ditës në nivel vendi. Kemi vetëm 10 mësimdhënës dhe 12 nxënës të infektuar me COVID. Instituti ka rekomanduar që të bëhet një testim gjeneral i shkollave të mesme. Në dy shkolla jemi veçse në përfundim, prej katër shkollave gjithsej e kemi përfunduar testimin dhe ka dal numër shumë i vogël dhe tash në ditët në vazhdim do vazhdojmë edhe me dy shkollat tjera”, tha ai.

Nikollbibaj tha së mësimi në shkollat fillore në Gjakovë po vazhdon me skenarin A përveç grupeve ku kanë rezultuar pozitiv nxënësit. Ndërsa, shkollat e mesme vazhdojnë me mësim të kombinuar, ashtu siç e parasheh skenari B.

Drejtori i Arsimit në Gjakovë, tha se nxënësit që janë me koronavirus po e vazhdojnë mësimin në distancë.

Pas paralajmërimeve të ekspertëve që për shkak të fushatës zgjedhore dhe grumbullimeve të qytetarëve mund të kemi rritje të numrit të të infektuarve, Nikollbibaj, thotë se në Gjakovë janë të gatshëm ta organizojnë mësimin në distancë. Sipas tij, rreth 550 tabletë dhe laptopë janë shpërndarë tek nxënësit me kushte të rënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat