Prokuroria kërkon dënimin e drejtorit të urbanizmit në Gjakovë dhe bashkëpunëtorit profesional, mbrojtja lirimin e tyre

Gjakova

Prokuroria kërkon dënimin e drejtorit të urbanizmit në Gjakovë dhe bashkëpunëtorit profesional, mbrojtja lirimin e tyre

Më: 27 maj 2021 Në ora: 19:19
Seanca

Të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ku drejtori i urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli dhe ish-arkitekti, tash bashkëpunëtori profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, Gojani po akuzohet se kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Bakalli se ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin “Orize” në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, fillimisht prokurori Ramiz Buzhala ia dorëzoi një parashtresë gjykatës dhe palëve lidhur me pjesën ku e ka bërë precizimin e veprimeve inkriminuese sa i përket të akuzuarit Gojani.

Më pas, prokurori Buzhala fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, derisa deklaroi se është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Ai ndër të tjera tha se motivi i kryerjes së veprës penale është përfitimi i kundërligjshëm material për familjen Bakija dhe shkaktim të dëmit për komunën e Gjakovës.

Ai i propozojë gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ndaj të njëjtëve të shqiptohet dënimi plotësues që përfshinë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike apo shërbimin publik.

Përfaqësuesja e komunës së Gjakovës, Vjollca Shyti, deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të prokurorit dhe se do të parashtrojë kërkesë pasurore juridike në qoftë se të akuzuarit shpallen fajtor.

Në anën tjetër mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Meshari Selimaj dhe Arbër Guta, të cilët gjithashtu i dorëzuan fjalët e tyre përfundimtare në formë të shkruar, kërkuan që klientët e tyre të shpallen të pafajshëm.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Mentor Bajraktari ka caktuar datën 1 qershor 2021 për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast.

Ndryshe, dy të akuzuarit e lartpërmendur ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjellë dobi pasurore për Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë, ku në këtë zonë sipas projektit të komunës ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja Shen Shefqeti.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi.1 pika 2.1 të KPRK-së.

Arben Bakalli po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjellë dobi pasurore për Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi ka nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së datës 29 dhjetor 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi. 1 pika 2.1. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat