Në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë, pezullohen punimet

Gjakova

Në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë, pezullohen punimet

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 20:46
Foto ilustrim

Gjysma e lokaleve në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë, tash e 12 ditë janë mbyllur fare.

Kjo si pasojë e punimeve për sanimin e rrugës  “Sylejman Hadum Aga” që ishte planifikuar të kryhen për brenda një afati të shkurtë kohor, por që u pezulluan nga Ministria e Kulturës.

Qytetarët po thonë se janë afektuar mjaft nga pandemia dhe tash nga këto telashe me rrugën, prandaj duan një zgjidhje sa më të shpejtë.

Në Komunën e Gjakovës, vartësit e kryetarit Ardian Gjini, thanë se përgjigjen për këtë çështje e kanë dhënë në rrjetin social Facebook në faqen e komunës.

Sipas këtij postimi, punët në projektin e rrugës i ka pezulluar një komision në Ministrinë e Kulturës, sipas tyre i njëjti që u ka lëshuar lejen për fillimin e tyre.

Në sqarimin e komunës thuhet se janë njerëz politikë ata të cilët kanë kërkuar që puna në çarshi të ndalet. Për më tepër aty është publikuar një e-mail i kryetarit të LVV dega në Gjakovë, Agon Batusha në të cilin ky i fundit shpreh shqetësimet se përmes këtij projekti po cenohet autenticiteti i Çarshisë së Vjetër të Gjakovës.

E për këtë çështje, Batusha thirri konferencë për media të mërkurën dhe tha se ky projekt po bëhet krye në vete nga institucioni në fjalë.

Ndërkaq nga Ministria e Kulturës përmes postës elektronike thanë se punimet në çarshi u pezulluan për tu bërë një rivlerësim, pasi siç kanë për detyrë që të sigurohen që ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore të kontribuojnë në ruajtjen e autenticitetit dhe integritetit të vlerave të trashëgimisë kulturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat