Atifete Jahjaga: Kjo konferencë është stimulues i mirë për bashkëpunim rajonal

Gjakova

Atifete Jahjaga: Kjo konferencë është stimulues i mirë për bashkëpunim rajonal

Më: 10 maj 2017 Në ora: 15:35
Pamje nga konferenca

Medica Gjakova dhe Medica Mondiale organizuan konferencë për media për të njoftuar zyrtarisht lidhur me konferencën mbi situatën e të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë.

Konferenca ndërkombëtare “Fuqizo Gratë, Tani” do të mbahet me 11 dhe 12 maj 2017, në Hotel Pashtrik në Gjakovë, nën patronatin e Ambasadës së Austrisë.

Objektivë e kësaj konference është rritja e vetëdijes mbi konfliktin e ndërlidhur të dhunës seksuale dhe situatën e të mbijetuarve, si dhe të stigmës të shoqëruar me të. Kjo ngjarje dy ditore do të fokusohet në përmirësimin e ligjit mbi statusin e viktimave civile të luftës dhe familjarëve të tyre dhe në informimin se si gratë mund të kenë qasje në pensione dhe përfitime të tjera të ndërlidhura me ligjin.

“Ne shpresojmë që përmes kësaj konference në Gjakovë ti shtyejmë gjërat përpara. Është e rëndësishme të njohim vuajtjet e tyre, të promovojmë pajtim dhe riaftësim në nivele shoqërore dhe të kontribuojmë në fuqizimin individual, në procesin e shërimit kolektiv si dhe në parandalimin e traumës ndër gjenerata”, tha znj. Monica Hauser, themeluese dhe drejtore e Medica Mondiale si dhe organizatë partnere gjermane e Medica Gjakova, në hapje të konferencës për media.

Ndërsa ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, si nismëtare e përkrahjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, theksoi se: “si një ish-udhëheqëse e Kosovës do të dëshiroja të shihja më shumë angazhim duke i vënë prioritet çështjeve me interes për gratë. Megjithatë, kjo nuk duhet të na dekurajojë, por të na fuqizojë edhe më shumë në punën tonë të vazhdueshme në mbrojtje dhe përkrahje të grave, sidomos të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë. Andaj mendoj se kjo konferencë është stimulues i mirë për bashkëpunim rajonal”.

Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë: Atifete Jahjaga, ish-presidente e Republikës së Kosovës, Arban Abrashi, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Dhurata Hoxha, Ministre e Drejtësisë, Mimoza Kusari Lila, Kryetare e Gjakovës, Përfaqësues të Ambasadave dhe Zyrave të Huaja në Kosovë, përfaqësuese të organizatave të grave nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kroacia.

Duke shpresuar në përkrahjen dhe pjesëmarrjen e mediave, ju lutem gjeni te bashkangjitur agjendën e konferencës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat