I jepet lamtumira e fundit Halil Haxhosajt, njërit prej poetëve më eminent të Gjakovës

Gjakova

I jepet lamtumira e fundit Halil Haxhosajt, njërit prej poetëve më eminent të Gjakovës

Më: 23 maj 2017 Në ora: 15:59
Kryetarja Mimoza Kusari-Lila

Me rastin e vdekjes së profesorit dhe krijuesit letrar Halil Haxhosaj, me organizim të përbashkët të Komunës së Gjakovës dhe të klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” sot është mbajtur mbledhje komemorative si dhe janë mbajtur homazhe në foajenë e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”.

Para shumë familjarëve, kolegëve të arsimit dhe atyre krijues, si dhe qytetarë të tjerë, është folur për biografinë e pasur profesionale dhe krijuese të Halil Haxhosajt, e në shprehjen e dhimbjes dhe të ngushëllimeve, Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës është shprehur se i dinjitetshëm në jetë dhe krijimtari, profesor Halil Haxhosaj jetën e tij deri në pension ia kushtoi me tërë qenien arsimit të gjuhës shqipe, edhe atëherë kur ishin vitet më të rënda të segregacionit dhe përjashtimit nga jeta sociale të qenies sonë kombëtare nga ish - pushtuesit. Sipas kryetares Kusari – Lila, nxënësit e tij, por dhe ata të tjerët që kanë pasur fatin në ndonjë mënyrë të kenë njohje apo të komunikojnë me të do ta kujtojnë përherë me mburrje si mësimdhënësi strikt në orë të mësimit dhe jashtë saj”.

Pos evokimeve për kontributin e çmuar të dhënë në fushën e arsimit, nga kryetarja Mimoza Kusari-Lila, Halil Haxhosaj është kujtuar edhe si krijues i shquar, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e letërsisë. “Autor krijues, kritik letrar dhe teatral, recensionist, dedikues dhe pasionant i madh i fjalës së shkruar, Halil Haxhosaj na ka lënë vepra që në perspektivë do të jenë të ranguara në nivele të larta studimore. Fjalëpak, kurioz dhe modest, i pandalshëm dhe i palodhshëm ,energjik dhe durimtar, Halil Haxhosaj jo vetëm se e ka, porse edhe do të ketë vendin meritor në fushën e krijimtarisë letrare, si formë dhe mënyrë e depërtimit në çdo cep të lexuesit shqiptar dhe më gjerë, për tu bërë përherë i kujtueshëm, mu për shkak të veprave të tija”, ka thënë Kusari – Lila.

Fjalë rasti ka mbajtur edhe Gentiana Muhaxhiri, kryetare e klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, e cila ka përmendur kontributin e Haxhosajt jo vetëm në krijimtarinë individuale dhe të arriturat në letërsi, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për organizim tradicional të mitingut të poezisë që mbahet në Gjakovë.

Ngushëllime të veçanta në emër të krijuesve kuksian dhe prizrenas ka shprehur krijuesi i njohur nga Shqipëria, Petrit Palushi. Në emër të kolegëve ka ngushëlluar Isuf Asllani, drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi”, e të tjerë të pranishëm. Emocionuese kanë qenë edhe fjalët e Muharrem Kurtit, mik dhe koleg i të ndjerit Halil Haxhosaj, i cili ka pohuar se është e pakët të flitet për vlerat dhe meritat e Halil Haxhosajt.

Para mbajtjes së homazheve dhe varrimit në varrezat e qytetit, në mbledhjen komemorative gjithë të pranishmit dhe të tjerët që kanë shprehur ngushëllime në mënyrë të ndryshme, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet Mehmet Haxhosaj, i biri i profesorit dhe krijuesit Halil Haxhosaj.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat