Kurti: Me Vetëvendosjen në qeverisje, Kosova bëhet shtet i drejtësisë

Gjakova

Kurti: Me Vetëvendosjen në qeverisje, Kosova bëhet shtet i drejtësisë

Më: 7 qershor 2017 Në ora: 18:24
Albin Kurti

(E plotësuar) - Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha të mërkurën në Gjakovë, se dalja e qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit është me rëndësi jetike për Kosovën dhe të mirën e vendit.

Ai gjatë një tubimi me qytetarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se qytetarët në ditën e zgjedhjeve kanë mundësi të bëjnë ndryshimin e madh, pasi me ish-qeveritë e deritanishme Kosova është bërë shtet i korrupsionit dhe i rreshtave të gjatë për viza para ambasadave.

Kurti: Me ndryshimin e madh nuk kthehet e kaluara

"Me Vetëvendosjen në qeverisje, Kosova bëhet shtet i punës, shtet i drejtësisë dhe i kulturës, shtet ku njerëzit duan të rrinë e të punojnë, e jo të ikin dhe të harrojnë. Ne me Lëvizjen Vetëvendosje duam që ta heqim qafe këtë regjim dhe të zhvillohet ekonomia e të përparojë shoqëria. Më 11 qershor e kemi shansin dhe të drejtën. Më 11 qershor duhet ta bëjmë ndryshimin e madh dhe jo të vogël. Ndryshimi i vogël është ndryshim i rrejshëm, sepse zgjat shumë dhe kthehesh ku ke qenë. Ndryshimi i madh është i vërtetë, sepse vetëm ashtu nuk kthehet e kaluara. 11 qershori është dita jonë. Terri që e sollën ata merr fund më 11 qershor, sepse Gjakova dhe gjithë Kosova do të numërojë 35. Ndryshimi i madh e ka një emër dhe një numër. Emri është Vetëvendosje dhe numri është 35", tha Kurti.

Ndër të tjera, ai shpalosi disa pika të programit të Vetëvendosjes duke thënë se me Lëvizjen në pushtet shteti do të jetë më i fuqishëm. Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti, i cili i ka bërë bashkë shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social dhe se për këtë kanë marrë modelin më të mirë, e që sipas tij është Zvicra dhe vendet skandinave.

Kandidati për deputet, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se nga tubimi i sotëm në Gjakovë po shihet më së miri se Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë.

Ahmeti: Më 11 qershor votoni Vetëvendosjen me Albin Kurtin kryeministër

"Më 11 qershor unë do të votoj dhe ju ftoj edhe juve të votoni për barazi. Më 11 qershor unë ju ftoj juve dhe vetë do të votoj për luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Më 11 qershor, unë do të votoj dhe ju ftoj edhe juve të votoni me zemër. Më 11 qershor, unë do të votoj dhe ju ftoj edhe juve të votoni Lëvizjen Vetëvendosje. Më 11 qershor, unë do të votoj dhe ju ftoj juve të votoni Albin Kurtin kryeministër të Republikës së Kosovës", thirri Ahmeti.

Ai premtoi se ashtu sikur e kanë zhvilluar Prishtinën, do të zhvillojnë edhe Kosovën, e sipas tij, kjo arrihet duke ndalur hajnat dhe matrapazët.

Dardan Molliqaj, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës në fjalën e tij, thumboi kundër-kandidatët e Kurtit. Ai me këtë rast, u ndal posaçërisht te kandidati i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj.

Molliqaj: Haradinaj të zgjedhë një humbje të dinjitetshme

"Në Kosovë, përveçse po garohet për herë të parë në tri blloqe, për herë të parë po garojnë tre emra. Njëri prej tyre nuk po e përmendi, sepse është dorëzuar prej se ka kandiduar, ai është Avdullah Hoti. Megjithatë, një tjetër është Ramush Haradinaj, luftëtar në luftë e frikacak në politikë. Është frikacak në politikë, po frikësohet. Mos u fsheh, dil përpara kryeministrit të ardhshëm. Pra, nuk kemi asnjë kandidat. Kemi veç një kryeministër e ai është Albin Kurti. Një tjetër porosi për Ramush Haradinajn, nga Gjakova. I ka dy rrugë: një humbje të dinjitetshme dhe një humbje pa dinjitet, le ta zgjedhë cilën të dojë, sepse gjithsesi është humbës", u shpreh Molliqaj.

Ndryshe, Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit garon si subjekt i vetëm politik./

Kurti: Më 11 qershor merr fund telenovela e këtyre koalicioneve

 Në tubimin e Vetëvendosje!-s në Gjakovë kandidati për kryeministër Albin Kurti e nisi fjalën e tij duke përmendur shembuj specifik të përdorur në botë të tre shtyllave të programit të Lëvizjes; të shtetit të së drejtës, shtetit social dhe shtetit zhvillimor. Kandidati për kryeministër tha se shteti i së drejtës i përkon barazisë së qytetarëve para ligjit, shteti social është shëndet, përkujdesje dhe mbrojtje e shtetit për të gjithë qytetarët e Republikës, ndërsa shteti zhvillimor është mbrojtje dhe nxitje e prodhimit vendas.

Në lidhje me zhvillimin ekonomik, Kurti tha “me Vetëvendosje-n në qeverisje Kosova bëhet vendi ku njerëzit duan të rrinë dhe të punojnë, dhe jo të ikin dhe të harrojnë.” Në funksion të këtij vizioni Kurti premtoi gjithashtu se me qeverisjen e Lëvizjes, “nuk mbetet asnjë pllambë e Kosovës djerrë. Ne do t’i rrisim edhe fermat, edhe rendimentin edhe cilësinë e prodhimeve bujqësore.” Në vargun e masave ndërhyrëse ai përsëriti zotimin për rishikimin e privatizimeve të mëdha, premtimin për garantimin e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme edhe investimet për bujqësinë. Për realizimin e investimeve, Kurti foli në lidhje me themelimin e Bankës Zhvillimore. Ai garantoi se, “Banka zhvillimore nuk është bankë për shitje, nuk do të vrapojë pas profitit, sepse e ri-investon fitimin. Sot qytetarët e Kosovës punojnë për bankat komerciale, me ne në qeveri bankat zhvillimore do të punojnë për qytetarët.”

Në lidhje me pabarazinë, kandidati për kryeministër u shpreh se, “në Kosovë ka pak demokraci, sepse ka shumë pabarazi, koncetrimi i pasurisë e minon demokracinë". Me Vetëvendosje-n në qeverisje, Kosova bëhet edhe vend i prodhimit edhe vend i rishpërndarjes.” Për të realizuar këtë synim Kurti e dalloi modelin e ri ekonomik nga ai i deri tanishmi duke thënë, ”krejt këto qeveritë e pasluftës e kanë mbajtur të ulur tatimin që ta rrisin pabarazinë. Aty ku ne e shtojmë tatimin e bëjmë këtë për ta zvogëluar pabarazinë dhe për ta rritur kërkesën agregate. Ndërkaq aty ku ne e ulim tatimin e bëjmë këtë për ta ulur varfërinë dhe për ta shtuar sindikalizmin.”

Për kundërshtarët në koalicione, Kurti i krahasoi ata me tenelovelat ku të gjithë çiftohen me njëri-tjetrin në të gjitha kombinimet e mundshme dhe ku çdo kombinim sjell mynxyrë për të tjerët përreth. “Me 11 qershor merr fund tenelovela e koalicioneve të korruptuara” u shpreh kandidati për kryeministër. Me një intensitet të lartë në Pallatin e Kulturës, Kurti e mbylli fjalën duke thënë, “Ne jemi lodhur me këto pushtet që sundojnë! Por jemi të palodhshëm në Lëvizjen tonë, të palodhshëm deri në 11 qershor, kur do t’i lodhim, edhe këta të korruptuar dhe të lodhur të LDK-së, edhe këta të lodhur dhe të korruptuar të PDK-së.”

***

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje tha sot në Gjakovë se shteti social është shëndet për të gjithë pa asnjë dallim e për këtë tha se programi i Lëvizjes Vetëvendosje është marrë nga eksperiencat kontinentale, përkatësisht të Zvicrës dhe vendeve skandinave.

"Më 11 qershor duhet ta bëjmë ndryshimin e madh sepse vetëm ashtu nuk përsëritet e kaluara. Tash ka edhe shpresë dhe guxim sepse jemi me Lëvizjen. 11 qershori është dita jonë sepse merr fund terri që e sollën ata. Gjakova dhe Kosova e ka një numër dhe një emër. Numri është 35, emri është Vetëvendosje", u shpreh Kurti.

 Ai i tha se me Lëvizjen  Vetëvendosje do të zhvillohet çdo sektor ekonomik dhe çdo spektër që mundëson një jetë më të mirë për qytetarët.

  "Vetëvendosje do ta bëjë shtetin për të gjithë, ku njerëzit gjejnë punë në bazë të aftësive të tyre e jo në bazë të mbiemrave. Me Vetëvendosjen nuk do të mbes asnjë pëllëmbë tokë djerrë. Me Vetëvendosjen në qeverisje, Kosova bëhet edhe vend i prodhimit, edhe i shpërndarjes", shtoi ai.

  Kurti tha se do të rishikohet privatizimi, dhe se do të ndërmarrin hapa konkret për zhvillim të ekonomisë edhe në zbatimin e TVSH-së. Ai premtoi se ata që do të riinvestojnë fitimin do të lirohen nga tatimi në fitim dhe do t'i mbrojnë të drejtat e punëtorëve e do t'i forcojnë sindikatat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat