Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” lirohet nga aktakuzat

Gjakova

Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” lirohet nga aktakuzat

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 15:25
Shaban Buza

Gjykata Themelore në Gjakovë, e ka liruar nga akuzat rektorin e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Shaban Buza, i cili ngarkohej me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Nikollë Komani, jashtë seancës ka vendosur lidhur me kundërshtimet e parashtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Teki Bokshi, dhe në bazë të këtyre kundërshtimeve, ka vendosur që aktakuza në fjalë të hidhet poshtë në mungesë të provave.

Gjykata pas vlerësimit dhe analizimit të aktakuzës, provave që gjenden në të dhe kundërshtimeve të mbrojtjes, ka konstatuar se nga këto prova jo vetëm që nuk vërtetohet dhe argumentohet dyshimi i bazuar mirë se Shaban Buza, ka kryer veprën penale sipas aktakuzës, por se sipas gjykatës këto veprime nuk përbëjnë vepër penale, por raport administrativo-juridik. Andaj gjykata bazuar në nenin 253, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale, e ka hudhur aktakuzën dhe e ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit Buza.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 17 korrik 2017, Shaban Buza nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej në aktakuzë.

Palët ishin pajtuar që të mos mbahej shqyrtimi i dytë, mirëpo gjykata lidhur me kundërshtimet e parashtruara nga mbrojtja më 15 gusht 2017, do të vendoste jashtë seance.

Ndryshe, lënda tashmë gjendet në Gjykatën e Apelit, pas ankesës së parashtruar nga prokurori i çështjes Agron Matjani, ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Shaban Buza akuzohej se në periudhën kohore prej 9 tetorit 2015 e gjerë më 13 shtator 2016, në cilësinë e rektorit në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe t’i shkaktojë dëm universitetit ka keqpërdorë pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Ai akuzohej se pas inspektimit të Inspektoratit të Arsimit, është konstatuar se në mënyrë të kundërligjshme janë pranuar mësimdhënësit pa dokumentacion të noterizuar, pa dokumentacion të nostrifikuar të diplomave të lëshuara jashtë Kosovës, si dhe janë pranuar asistentë të cilët e kanë kaluar moshën e paraparë me ligj.

Me këtë dyshohej të ketë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat