Ermeni: Kaloi koha e asfaltimit të rrugicave, kemi fokusin në zhvillimin e Gjakovës

Gjakova

Ermeni: Kaloi koha e asfaltimit të rrugicave, kemi fokusin në zhvillimin e Gjakovës

Më: 1 tetor 2017 Në ora: 21:58
Fushata e LDK-së në Dushkajë

Bekim Ermeni, kandidat për kryetar të Gjakovës, ka thënë se kjo është hera e katërt që po e vizitojmë Zonën e Dushkajës dhe me këtë po mundohemi t’i identifikojmë të gjitha hallet dhe problemet e kësaj zone.

“Duhet ta dimë se koha e rrugëve e rrugicave duhet të përfundojë dhe të përqendrohemi për zhvillim ekonomik. Të punojmë më tepër për të rinjtë, që ata mos ta mendojnë largimin nga vendi, por të kenë këtu perspektivën. Slogani ’Lidhja’ është shumë i qëlluar, sepse tek ne po lidh breza dhe kjo shihet edhe në listat tona”, ka thënë Ermeni.

Ai ka shtuar se ujërat e zeza në Dushkajë, do të trajtohen me plan të detajuar dhe në harmonizim me buxhetin që e kemi.

“Pallati i Kulturës do të ndërtohet shumë shpejt. Funksionalizimi i laboratorit për analizat mjekësore është çështje urgjente dhe duhet të kryhet në gjashtë muajt e parë të qeverisjes sonë. Duhet të punohet shumë më tepër në arsim, sepse është e pakuptimtë që nxënësit të udhëtojnë nga gjashtë kilometra dhe atyre t’u mos u sigurohet transporti. Kjo nuk do të guxojë të ndodhë në qeverisjen e LDK-së”, ka pohuar Ermeni.

Sipas tij, ndërtimi i terreneve sportive, 20 të tilla, do të kryhet sa më parë, ndërsa bujqësia është sektor shumë i rëndësishëm zhvillimor, prandaj do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë.

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se jam shumë i bindur që Bekim Ermeni e meriton përkrahjen e gjakovarëve.

“Orientimi ynë zhvillimor është specifik dhe dihet që ne në LDK i kemi ekspertët më të mirë për zhvillim ekonomik. Këtë e kemi treguar edhe në nivel vendi, sepse Kosova nuk ka pasur në asnjë periudhë zhvillim ekonomik më të madh se sa në dy vjet e gjysmë që ne e kemi udhëhequr vendin, duke e pasur normën më të lartë të zhvillimit në rajon”, pohoi Mustafa.

Ai tha se në kohën e presidentit Rugova i kemi kryer disa punë të mëdha, por tani na duhet ta zhvillojmë Kosovën. “Në Gjakovë e kemi pasur historikisht një industri, e cila ka udhëhequr në Kosovë. Kemi kaluar nëpër periudha të ndryshme, por ne duhet të punojmë në ata sektorë që kemi mundësi dhe t’i japim prapë shpirt Gjakovës”, shoi kreu i LDK-së.

Ai tha se nuk duhet të lejojmë që komunën ta drejtojnë ata që nuk kanë identitet profesional. “Ne e kemi njeriun që ka shumë identitet dhe që është treguar shumë i suksesshëm, prandaj është mirë t’i japim besimin. Besimin nuk ia japim për të kundërshtuar as AAK, as PDK, as VV, por për ta çuar projektin përpara, sepse jemi të bindur se atë që e bën LDK në zhvillimin ekonomik nuk mund ta bëjnë të tjerët”, tha kryetari i LDK-së, gjatë bashkëbisedimit me banorët e Dushkajës.

Sipas tij, LDK ka treguar se nuk qeveris me korrupsion, por është më e përgatitura. “Ne dëshirojmë zhvillim ekonomik, integrim në organizmat më të rëndësishëm ndërkombëtare. Synimi ynë nuk është të fitojmë vetëm në zgjedhjet lokale, por shpejt edhe në ato qendrore, sepse Kosova duhet të udhëhiqet nga një parti që i ka dyert e hapura në Evropë dhe këtë mundësi e ka vetëm LDK. Kjo nuk duhet të ndodhë për hir të LDK-së, por për hir të Kosovës”, tha në fund Mustafa.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat