Sahiti premton se do të jetë zë i fuqishëm për të rinjtë gjakovarë

Gjakova

Sahiti premton se do të jetë zë i fuqishëm për të rinjtë gjakovarë

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 10:40
Mirlinda Sahiti

Kandidatja për asamble komunale në Gjakovë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mirlinda Sahiti synon të jetë një zë i fuqishëm për qytetarët e Gjakovës, veçmas për të rinjtë e këtij qyteti.

Ekonomistja në moshën 24 vjeçe me përvojë pune në menaxhimin biznesor premton përkrahje të bizneseve të reja me anë të garantëve, duke krijuar vende të punës për parandalimin e migrimit të të rinjve.

Sahiti në një intervistë për Kp thotë se shtylla kryesore e platformës së partisë së saj është zhvillimi ekonomik, bujqësia, shëndetësia dhe arsimi cilësor.

Sahiti: Gjakovarët duhet të më votojnë mua për shumë arsye

“Gjakovarët duhet me më votuar mua për shumë arsye. E  para është që pasi jam e re, jam ekonomiste me profesion dhe e di shumë mirë se në çfarë procesi të shkojë zhvillimi ekonomik. Andaj, si e re unë kam pasur shumë përkrahje me hapë një biznes vet, kështu që unë dua të bëhem zëri i tyre që të rinj  tjerë t’i kenë mundësitë dhe mos të shkojnë në vendet të tjera(në vendet perëndimore) që të punojnë por të qëndrojnë në Gjakovë dhe me i pas  mundësitë që të punojnë aty”, tha Sahiti.

Ajo ka thënë se pos zhvillimit ekonomik, prioritet kanë edhe zhvillimin e bujqësisë duke i përkrahur fermerët të jenë sa më shumë përfitues të prodhimeve të tyre bujqësore. Kandidatja e re thotë se me LDK bizneset e reja do të kenë ulje të tatimeve komunale.

Sahiti: Pos zhvillimit ekonomik, prioritet për LDK mbetet edhe bujqësia

“Një shtyllë tjetër e rëndësishme që LDK i ka dhënë përparësi është edhe zhvillimi i bujqësisë, pasi që Gjakova posedon shumë fshatra dhe ka toka të mjaftueshme që munden me u punuar. Kështu që bujqësia ka me qenë një prioritet tjetër gjatë katërvjeçarit të ardhshëm… Bizneset fillestare paguajnë shumë taksa, ne ju kishim ndihmuar duke i liruar prej taksave komunale pasi që bizneset në fillim nuk është shumë fitimprurëse dhe nëse lirohen preja taksave komunale kishte me qenë një ndihmesë e madhe për bizneset e reja… Në momentin që i përkrahë bizneset e reja, kanë me u krijuar edhe vendete e lira të punës”, deklaroi Sahiti.

Pushteti i deritashëm në Gjakovë, ajo tha se ka pasur ngecje në realizimin e projekteve, të cilat sipas saj, kanë mbetur gjysmë ose nuk janë realizuar fare. Po ashtu sipas Mirlinda Sahitit me qeverisjen e kaluar Gjakova ka një shëndetësi alarmante, që nuk ka barna esenciale dhe në shumë fshatra nuk janë funksionale ambulantat.

Sahiti: Shëndetësia është në gjendje alarmante

“Ka shumë gjëra që nuk janë në rregull, duke filluar prej shëndetësisë, ku mjekësia familjare është në gjendje të tmerrshme dhe nuk ka barna esenciale të cilat ju nevojiten pacientëve ose për rastet sociale që nuk kanë kushte. Andaj, një fokus duhet me qenë edhe pjesa e shëndetësisë dhe mjekësisë familjare, sidomos nëpër fshatrat e Gjakovës që shumicë (ambulantëve) nuk janë në funksion”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se Gjakova ka probleme edhe me ujëra të zeza, sepse nuk ka kanalizime, posaçërisht lagjja e saj tek ‘Blloku i ri” me 20 mijë banorë në Gjakovë, ngase pas çdo reshje të shiut banorët e kësaj lagjeje kanë probleme me ujërat e shiut. Kjo çështje sipas Mirlinda Sahitit me LDK-në do të zgjidhet  sa më parë.

Ajo ndër të tjera ka thënë se nëpër fshatra ka probleme me ujë të pijes sidomos në pjesën e Dushkajës dhe premton se pushteti me LDK-në do ta zgjidhë këtë problem.

Sahiti e cila në garën për asambliste mban numrin 33, shpreson se në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të fitojë sepse thotë se i posedon të gjitha atributet që duhet me i pas një njeri për të çuar vendin përpara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat