VV përcaktohet: Me këtë parti në asnjë mënyrë nuk hyn në koalicion në Gjakovë

Gjakova

VV përcaktohet: Me këtë parti në asnjë mënyrë nuk hyn në koalicion në Gjakovë

Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 14:15
Kusari dhe Gjini

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Gjakovës, Driton Çaushi në një prononcim për Blic ka bërë të ditur detaje nga marrëveshja e mundshme bashkë qeverisëse pas zgjedhjeve për balotazh.

Çaushi tha se Vetëvendosje ka garuar në Gjakovë e bindur se janë opsioni më i mirë për këtë qytet, mirëpo respektojnë qëndrimin e qytetarëve.

”Lëvizja Vetëvendosje ka garuar në Gjakovë duke qenë e bindur se është opsioni më i mirë për qeverisjen e ardhshme të qytetit të Gjakovës megjithatë rezultati ka dalë ndryshe dhe ne e respektojmë absolutisht qëndrimin e qytetarëve. ”, tha Çaushi.

Sa i përket përkrahjes së ndonjërës prej partive që do të garojnë në balotazh, Çaushi tha se Gjakova ka nevojë për qeverisje më të mirë, duke shtuar se nuk guxon të ndodhë kthimi i qeverisjes së AAK-së në këtë komunë.

”Ajo që ne e kemi thënë nga dita e parë e fillimit të garës për Gjakovën është që Gjakova ka nevojë për një qeverisje më të mirë, mirëpo ajo që nuk guxon të ndodhë është kthimi i qeverisjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.” pohoi ai.

I pyetur për takimet me  AAK-në dhe Alternativën, ai shtoi se takime kanë pasur vetëm me Mimoza Kusari-Lilën, pasi që një takim me AAK-në nuk e kanë pranuar.

”Ne kemi pasur takime me zonjën Kusari-Lila. Kemi pasur ftesë për takim nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mirëpo nuk e kemi pranuar.”, tha ai.

Diçka konkrete në formë të marrëveshjes, sipas Çaushit nuk kanë, mirëpo qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje tashmë është i qartë.

”Jemi takuar disa herë, nuk ka diçka konkrete, mirëpo qëndrimin e kemi të qartë që nga fillimi i garës.”, përfundoi ai.

Ndryshe për të karrigen e  të parit të komunës së Gjakovës në zgjedhjet për balotazh do të garojnë AAK dhe Alternativa.

AAK dhe kandidati Ardian Gjini në zgjedhjet e 22 tetorit mori 39.88% të votave, Alternativa dhe kandidatja Mimoza Kusari-Lila 32.10%, ndërsa i treti u radhit Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje me 12.87%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat