Gjykimi për tentim-vrasjen e Kusari-Lilës vazhdon pa dëshmitarin kryesor

Gjakova

Gjykimi për tentim-vrasjen e Kusari-Lilës vazhdon pa dëshmitarin kryesor

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 11:28
Mimoza Kusari- Lila

Pasi mungoi përsëri dëshmitari nga Shqipëria Gramoz Nokshiqi, në gjykatë u lexua deklarata e mëhershme e tij.

Dëshmitari nga Shqipëria Gramoz Nokshiqi nuk u paraqit për ta dhënë dëshminë në gjykimin ndaj Mikel Qupit.

Nokshiqi, në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, që pretendohet të jetë personi kyç në këtë proces, nuk erdhi për të dëshmuar në pretendimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës për tentim- vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës dhe Prenk Radit.

Gjykata me propozimin e prokurorit Special, Ali Rexha, ka vazhduar procedimin e 66 provave të tjera materiale dhe leximin e dëshmisë së Nokshiqit që kishte dhënë para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Prokurori Rexha tha se janë shteruar të gjitha mundësitë ligjore për sjelljen e dëshmitarit bashkëpunues.

“…me që ekziston dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues që e ka dhënë para gjyqtarit të procedurës paraprake në prezencën e mbrojtësit, propozoj që ajo dëshmi të lexohet dhe të vazhdohet tutje me provat e tjera që janë propozuar në aktakuzë”, tha prokurori Rexha.

Avokati Besnik Berisha, që mbron të akuzuarin Mikel Qupi, kërkoi që kjo deklaratë të mos lexohet dhe të mos trajtohet si provë.

“…Kjo është një tragjedi procedurale për Mikel Qupin që mercenari i vetëdeklaruar përkundër përpjekjeve të gjykatës dhe prokurorisë nuk u arrit që të sigurohej prezenca e tij… Ne e kundërshtojmë propozimin që këto deklarata të lexohen dhe të administrohen si prova në këtë çështje”, tha avokati Berisha.

Pas leximit të deklaratës së dëshmitarit bashkëpunues Gramoz Nokshiqi dhe shikimin e 66 provave materiale, i akuzuari Qupi me këshillën e avokatit të tij shfrytëzoi të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Fjala përfundimtare në këtë gjykim do të mbahet me 13 dhjetor 2017.

Ky gjykim është shtyrë disa herë për mungesën e dëshmitarit Gramoz Nokshiqi.

Mikel Qupi akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vrasje të rëndë të lidhur me veprën bashkim kriminal të mbetur në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.

Qupi akuzohet se u mor vesh me dy shtetas të Shqipërisë për vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës dhe Prenk Radit gjatë muajit korrik të vitit 2015.

Për vrasjen e kryetares së Gjakovës, Qupi sipas prokurorisë u premtoi 300 mijë euro dy shtetasve shqiptarë.

Në aktakuzë bëhet e ditur se përveç premtimit material, Qupi ua siguroi edhe armët atyre që pritej ta vrisnin kryetaren e Gjakovës-një snajper me dy palë dylbi, njëra palë për përdorim gjatë ditës e tjetra gjatë natës, një pistoletë të tipit “Zastava” dhe një sasi prej 400 gramësh të eksplozivit C4.

Sipas aktakuzës, dy vrasjet e porositura të Qupit kishin mbetur të pakryera, pasi njëri nga të porositurit për kryerjen e këtyre krimeve ishte penduar, duke njoftuar për planet e Qupit Policinë e Shqipërisë, ndërsa më pas kjo polici kishte njoftuar Policinë e Kosovës./Kallxo.com/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat