Në përkujtim të dajës tim, Halil F. Nikçi

Gjermania

Në përkujtim të dajës tim, Halil F. Nikçi

Nga: Besnik Kelmendi Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 20:15
Halil F. Nikçi

Siç dihet nga historia jonë kombëtare, treva e Rugovës, përveç bukurive të rralla natyrore, ajo në gjirin e saj ka ruajt dhe bartë ndër shekuj gjuhën e bukur shqipe, kulturën autoktone të fisit më të madh Ilir, Kelmendasve, sikur që ka kultivuar edhe traditat dhe zakonet burimore të malësorëve të kësaj ane, duke e veçuar në disa aspekte nga trevat tjera shqiptare, në veçanti në ruajtjen e pastërtisë së gjuhës, këngës dhe valleve folklorike shqiptare. 

Ndër instrumentet e shumta muzikore tek shqiptarët, pa dyshim se vend të posaçëm ka zënë lahuta, e cila si instrument muzikor është trashëguar brez pas brezit tek banorët autokton të Rugovës, dhe, nuk është fare e vërtetë gënjeshtra e fundit e serbëve, se gjoja lahuta është instrument serb, kur dihet se ajo ka prejardhje që nga koha e Ilirëve. Në trevën e Rugovës, ky instrument e zënë vendin e parë në mesin e instrumenteve tjera muzikore tek shqiptarët për shumë arsye, por kryesorja është se ajo ka qenë një punim dore i lehtë që në odat e shqiptarëve denbabaden është përdorur ndër shekuj deri në ditët e sotme!

Pra, duke qenë se Rugovasit u kanë kënduar gjithmonë heronjve dhe trimave të tyre, si në këngën e njohur “Meta i Balit”, në përballje me sulmet e egra të armiqve përreth tyre, interpretimi i këngëve me lahutë ka shprehur më së miri heroizmin, vullnetin për mbrojtje të tokave të tyre si dhe përshkrimin e ngjarjeve përmes këngëve, të heroizmit gjatë luftërave dhe betejave, dyluftimeve dhe trimërive të malësorëve të kësaj treve malore-shkëmbore.  

Kështu që, daja im, një lahutari i njohur rugovas, Halil Fazli Nikçi, nga fshati Shtupeç i madh, në momentin kur u themelua Ansambli Folklorik Autokton “RUGOVA” në vitin 1947 në Pejë, ai veç ishte pjesë e grupit themelues të tij së bashku me iniciuesin Ramë K. Nikçin dhe shumë të tjerë, si një valltar dhe këngëtar i ri, që dallohej me talentin e tij të rrallë muzikor. Halili gjatë gjithë jetës së tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin dhe rrugëtimin shumë të vështirë të këtij ansambli në rrethanat e pas Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova iu aneksua me dhunë Serbisë-gjegjësisht ish Jugosllavisë. Daja Halil, me lojën-kërcimin e tij të mrekullueshëm të valleve autoktone të Rugovës e më pas edhe me këngët e tij me përmbajtje heroike përmes lahutës, ka bërë që Ansambli “Rugova” t’iu mbijetoi të gjitha presioneve të regjimit komunist jugosllav, duke u shndërruar në simbol dhe zë të lirisë së shqiptarëve, jo vetëm në kulturë dhe artin shqiptar në Kosovë, por edhe në një forcë të rezistencës, afirmimit dhe rritës të kulturës shqiptare në ish Jugosllavi dhe më gjerë në gjithë Ballkanin. Ishte mjeshtër i rrallë i të gjitha llojeve të folklorit, por sidomos i ramjes dhe këndimit të këngëve të Lahutës, që e kishte trashëgim nga i ati i tij Fazli Ibishi, i cili po ashtu ishte ndër lahutarët më të dalluar të trevës së Rugovës.                          

Jehona e Lahutës së tij dhe zëri shumë melodik i këngëve që i këndonte kudo me krenari dhe përkushtim të madh artistik dhe kombëtar, do mbesin përjetë si kujtimi më i mirë për ne dhe gjitha brezat që do vijnë më pas!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat