“Stone Castle” me produkte të reja në panairin e verës në Gjermani

Gjermania

“Stone Castle” me produkte të reja në panairin e verës në Gjermani

Më: 2 prill 2019 Në ora: 20:32
Stone Castle

Kompania “Stone Castle” është për herë të tretë pjesëmarrëse e panairit të madh ndërkombëtar ProWine në Dyseldorf të Gjermanisë.

Drejtori i kompanisë Avdi Gecaj ka vlerësuar panairin të rëndësishëm, pasi pjesëmarrësit kanë pasur rastin të njihen me produktet e reja të kompanisë, prej të cilave ka veçuar Gjergj Kastrioti dhe Owner, e cila ka marrë medaljen e artë në Francë.

“Kemi pas shumë sukses në të gjitha vitet që kemi marrë pjesë, kemi  shumë kontrata të reja me blerës të ri. I kemi treguar botës se Kosova mund të prodhojë vera me cilësi me standarde të Evropës. Besoj se çdo vit do të arrihet një sukses prej produkteve të Kosovës dhe produkteve të Stone Castle. Ne si kompani jemi më të mëdhenjtë në Kosovë. Kemi treg në Amerikë, Zvicër, Gjermani, Kroaci, Shqipëri, Kinë edhe këtë vit po hyjmë edhe në Nigeri në Afrikë. Besoj se çdo vit, interesi i kompanisë sonë rritet dhe këtë vit kemi dalë me dy produkte të reja, Gjergj Kastrioti dhe Owner, e cila ka marrë medaljen e artë në Bordo të Francës. Besoj që bota e di se Kosova bënë produkte shumë të mira”, tha ai.

Teuta Kurshumlija, menaxhere e eksportit në “Stone Castle”, tha se kapaciteti i prodhimit të kompanisë është 30 milionë litra venë  në vit, por aktualisht janë duke prodhuar 8-13 milionë litra. Ajo po ashtu thotë se me produktet e reja Getsa dhe  Rozea, kompania do të jenë më konkurrentë me prodhuesit evropianë.

“Me produktet e reja sikurse Getsa dhe Rozea, prej gamës vetëm ekzistuese dhe shumë llojshmërisë që e posedojmë mendojmë që mund të arrijmë dhe të jemi konkurrent me prodhues evropianë të venave, dhe ajo dëshmohet në mënyrë më të mirë të mundshme me çmime dhe me medalje të shumta të arta, që kemi marrë në garat ndërkombëtare të venave më të njohura, sikur në Bordo të Francës, Spanjë, dhe SHBA. Me dëshmimin e cilësisë mendojmë që mund të arrijmë edhe qëllimet tona të prodhimit dhe të rritjes gjithmonë e më shumë”, tha Kurshumlija.

Drejtori i përgjithshëm i vreshtave dhe verarisë “Stone Castle”, Ylber Bajraktari ka folur rreth problemeve dhe vështirësive me të cilat përballet kjo kompani, ku ka përmendur akcizën, e cila nuk aplikohet në vendet tjera evropiane, pasi hyn në kategorinë e ushqimeve.

“Është e padrejtë që të mbetet ende në fuqi mbetja e akcizës në verë. Në çdo vend të Evropës akciza nuk ekziston dhe është e liruar, sepse hyn në kategorinë e ushqimeve. Kompania jonë nuk ka asnjë lloj ndihmese. Pjesa tjetër që mbetemi në kompani i ndihmojmë 1200 familje që marrim rrush dhe me anë të kësaj ne paguajmë të gjitha taksat bujqve, atë vlerën e shtuar për 3 centë në kilogramë. Mirëpo, nga Qeveria nuk e kemi kthimin e mjeteve të tre përqindëshit, të cilët është i dëmtuar nga ana e dyfishtë. Me këto politika bujqësore, kompania “Stone Castle” mund të them që do të vendos në unitetin e saj që të mos e përkrah më bujkun”, tha ai, duke shtuar se “Stone Castle” në 2019 nga fatkeqësitë natyrore ka pësuar mbi 1.4 milion euro humbje.

Ndërsa, Anesa Mullaabazi, tregon se mundësinë për t’u njohur me prodhimet e “Stone Castle”, përveç turistëve nga Kosova, kanë edhe ata nga vende të botës si nga Koreja, Australia, Gjermania, Zvicra dhe shumë të tjera.

“Kemi kërkesa edhe për pije alkoolike edhe për vera të ndryshme. Është verë e kuqe prej dy varieteteve të rrushit. Përndryshe kjo verë e ka fituar emrin dhe medaljen e artë në Bordo të Francës. Sasia e kësaj është 10 mijë shishe”, tha ajo.

Kompania Stone Castle prodhon shumë lloje të verërave, pasi  përmban diku 28 varietete të rrushit, ku 60 për qind shkon në eksporte në Amerikë dhe Evropë.  Ajo shquhet edhe për nga cilësia e konjakut, i cili sivjet në Nju Jork u shpall konjaku më i mirë evropian në Amerikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat