Kush është i riu nga Peja që sot ka pozitë të lartë shkencore POSTDOC në Universitetin e Heidelbergut

Gjermania

Kush është i riu nga Peja që sot ka pozitë të lartë shkencore POSTDOC në Universitetin e Heidelbergut

Nga: Valdet Hysenaj Më: 9 maj 2019 Në ora: 16:15
Trim Lajqi - Doktor i shkencave të natyrës (PhD) i diplomuar në Universitetin Shtetëror Friedrich-Schiller Universität Jena në Gjermani

Në përpjekje për të prezantuar hulumtuesit kosovarë që po ngjiten majave të suksesit dhe ata shkencëtarë me diploma kërkimi akademik që kanë dhënë kontribut të konsiderueshëm dhe të qëndrueshëm në njohuritë shkencore, gjurmët e kërkimit kësaj radhe i ndalëm në Gjermani. Komunitetit të Shkencëtarëve Botërorë, me 23.4.2019 iu shtua edhe një emër: emri i të riut nga Kosova Trim Lajqi - Doktor i shkencave të natyrës (PhD) i diplomuar në Universitetin Shtetëror Friedrich-Schiller Universität Jena në Gjermani

“Mendoj se nuk ekziston asnjë cilësi tjetër që është aq esenciale për suksesin se sa cilësia e këmbënguljes. Ajo i tejkalon pothuajse të gjitha, madje edhe vetë natyrën.” John D. Rockfeller

Në vend të letërnjoftimit

(Hapërimet jetësore)

Ishte 4 janari i acartë i vitit 1990 kur qytetit të bukur të Pejës dhe familjes së Isuf Lajqit iu shtua banori më i ri Trim Lajqi. U lind në kohë të pakohë, ngase pushteti serb atëbotë me dhunë të paparë përpiqej të zhbënte gjithçka që ishte shqiptare, në kohën kur ishte vërsulur barbarisht mbi shkollat shqipe. Trimi se përjetoi fëmijëri pa fëmijëri. Jo vetëm kaq!

Në të gjashtat e tij i filloi ecajaket abetareske në shkollën fillore “8 Marsi” në Pejë, por vetëm 2 vite më pas nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas u mësua me krisma armësh, alarme policie, gumëzhitje makinerish luftarake, uniforma gjakatare, dhunë, rrahje dhe njerëz të shtrirë përmbys rrugëve. Në klasën e tretë e përjetoi edhe ekzodin biblik.

Ishte kjo rrita e tij dhe e bashkëmoshatarëve të tij.

Pas rikthimit me sukses shembullor e përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin “Bedri Pejani“ (drejtimi shkenca natyrore) në vendlindje.

Trimi është djali i Kumrije dhe Isuf Lajqit nga Shtupeqi i Madh i Rugovës dhe vëllai i madh i Benjaminit dhe Driadës, po ashtu është kurorëzuar me Esra Muratin.

Trimi mbeti gjithnjë shtylla e suksesit për miqët, familjarët dhe shoqërinë, sepse kurdoherë na bëri krenarë kudo që ishte.

Konkurrentja familjare e Trimit, e motra Driada, po hapëron sukseshëm rrugës së të vëllait, mbase që mos ta lë të vetëm në tablonë e arritjeve shkencore.

Infektimin për shkencat e natyrës mbase e ka trashëgimi nga babai Isufi, profesor i matematikës, i cili në vazhdimësi e mishëroi dhe e orientoi në shkencat egzakte, me theks të veçantë në matematikë, kimi, biologji dhe fizikë, ndërsa nga nëna trashëgoi edukatën familjare të mirësjelljes, duke u bërë kështu së bashku çelës i suksesit së tij.

Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë - Dega e Farmacisë, në Universitetin e Prishtinës më pas i vazhdoi edhe studimet pasuniversitare kurse në vitin 2013 mori gradën e Magjistrit të Farmacisë.

Pas përfundimit të studimeve, me rastin e pjesëmarrjes në një garë në nivel shteti, në një konkurrencë mjaft të fortë, falë përgatitjes së tij profesionale dhe aftësive intelektuale u përzgjodh si kandidati më i suksesshmëm i garës, duke i hapur vetes rrugën e karrierës, ngase mori ftesën që të studiojë si shkencëtar i huaj në Universitetin e Lirë të Berlinit (Freie Universität Berlin) në Berlin të Gjermanisë.

Krahas studimeve në Berlin, arriti që të publikojë punimin e parë shkencor në një revistë amerikane lidhur me efektet e klorokinës si bar mjekësor kundër malaries, në promovimin e sëmundjes autoimune të psoriazës në lëkurë.

Më pas, sërish u ftua për studime të doktoraturës nga Universiteti Shtetëror i Jenës (Friedrich-Schiller-Universität Jena) në Gjermani, studime të cilat i kurorëzoi me sukses duke mbrojtur disertacionin e doktoratës me temën: Sensibilizimi i trajnuar dhe zhvillimi i tolerancës në qelizat e mikroglias – Roli i fosfoinozitid 3-kinazë g.

Trimi nuk reshti së hulumtuari e qëmtuari, gjatë studimeve të doktoraturës arriti të botojë një mori publikimesh dhe kapituj librash të cilat i botoi në revistat shkencore më të njohura ndërkombëtare si dhe u dekorua me Certifikatën e ndarë nga Fondacioni Gjerman i Kërkimeve – DFG, e cila u dedikohet vetëm personave me kualifikime të larta shkencore.

Gjatë periudhës së studimeve të doktoraturës, Trimi po ashtu nga vet studentët doktorantë të atij Universiteti u zgjodh anëtar i Këshillit të Doktoratëve, i njohur me shkurtesën DR.FSU si dhe Senator në Universitetin Shtetëror të Jenës në Gjermani, duke përfaqësuar kështu interesat e të gjithë doktorantëve të Universitetit, me ç’rast u veçua si mjaft i suksesshëm në arritjen e qëllimeve.

Tanimë Trimit i është ofruar një pozitë e lartë shkencore – PostDoc, në një nga Universitetet më të forta botërore, në Universitetin e Heidelbergut në Gjermani, (i ranguar në top 50-shen e universiteteve botërore) e cila ndiqet nga të gjithë ata që synojnë që të bëhen profesorë universitarë në Gjermani.

Me gjithë arritjet, Trimi asnjëherë nuk ndaloi së vizituari vendlindjen dhe shokët në Kosovë, duke kontribuar edhe në aspekte të ndryshme intelektuale, profesionale e herë – herë edhe sociale.

Përmbledhje e shkurtër e temës së doktoratës:

Sensibilizimi i trajnuar dhe zhvillimi i tolerancës në qelizat e mikroglias Roli i fosfoinozitid 3-kinazë

Qeniet e ndryshme që jetojnë në planetin tonë përveç karakteristikave fenotipike apo gjenotipike, dallojnë edhe nga sistemet e mbrojtjes (imunitare) që posedojnë. Ky sistem imunitar ndahet në dy nënsisteme në bazë të karakteristikave që kanë dhe atë në: sistemin imunitar të lindur (angl. innate immunity) i cili përbën një sistem që vepron shumë shpejt dhe përbën “forcën” primare kundrejt infeksioneve të ndryshme, dhe sistemi imunitar i fituar apo adaptiv (angl. adaptive immunity) i cili karakterizohet nga qeliza të specializuara që posedojnë vetinë e memories immunologjike (njohin patogjenet edhe pas një infeksioni të dytë). Sistemi imunitar i lindur për vite të tëra është konsideruar si sistem mbrojtës evolucionar primitiv ngase qelizat e këtij lloj sistemi imunitar nuk posedojnë vetinë e njohjes së patogjeve të ndryshme pas një ri-infeksioni (vetia e memories imunologjike). Interesante lidhur më këtë çështje bëhet vet fakti që 95% e specieve të ndryshme që jetojnë në planetin tonë mbrojnë veten vetëm me sistemin imunitar të lindur dhe mbijetojnë me vite të tëra, ndërsa vetëm 5% e gjallesave të tjera përfshirë edhe njerëzimin, posedojnë që të dyja sistemet imunitare, të lindur dhe të fituar, si forcë mbrojtëse ndaj infeksioneve të ndryshme. Ky paradoks në të cilin shprehet një karakteristikë e pashpjeguar shkencërisht ka ngjallur interesimin e shumë shkencëtarëve për të studiuar qelizat e sistemit imunitar të lindur, për të njohur më afër vetinë e tyre protektive ndaj infeksioneve të njëpasnjëshme.

Mikroglia është qelizë e sistemit imunitar të lindur, e cila mbron sistemin tonë nervor qendror ndaj patogjeve të ndryshme që mund të hyjnë përmes barrieres gjak-tru, si dhe ndihmon në proceset vitale nervore qoftë në largimin e qelizave të shkatërruara (përmes fagocitozës) apo në krijimin e sinapsave (lidhje nervore të komunikimit) të ndryshme. Raportet e fundit shkencore e konsiderojnë këtë qelizë imunitare si shumë interesante bazuar në faktin se bën pjesë në qelizat e rralla tërëjetësore, gjë që përbën një fakt interesant për studime të efekteve të ndryshme afatgjate. Studimi i temës time të doktoraturës ka dokumentuar që mikroglia si qelizë posedon vetinë e krijimit të memories imunologjike e ngjashme më atë të sistemit imunitar të fituar, duke qenë në pozitë të ndërveprojë me patogjene të ndryshme edhe pas një ri-infeksioni. Mbi të gjitha ne kemi dokumentuar se këto veti kontrollohen nga një proteinë e quajtur fosfoinozitid 3-kinazë g (PI3Kg).

Rëndësia e këtij hulumtimi qëndron në faktin se kjo veti e re e qelizave të mikroglisë në sistemin nervor qendror mund të ndikojë në gjenerimin apo eleminimin e sëmundjeve të ndryshme neuro-degjenerative të sistemit nervor (si p.sh. : sëmundjes së Alzheimerit, Parkinsonit, sklerozës multiple), e mbi të gjitha roli i proteinës PI3Kg paraqet rol dominant në kontrollin e këtyre efekteve në sistemin tonë nervor, gjë që përbën interes të veçantë në zhvillimin e terapive specifike në trajtimin e këtyre sëmundjeve neuro-degjenerative.

Në pamundësi për të paraqitur të gjitha punimet dhe publikimet shkencore të tij, po prezantoj vetëm disa:

Kapituj libri

Jentho E*, Lajqi T*, Yang K*, Winkler R*, Stojiljkovic M*, Wetzker R, Bauer M. Pathogen-induced hormetic responses. In: The Science of Hormesis in Health and Longevity (1st Edition), ISI Rattan & M Kyriazi (Eds), Academic Press 2018 (*autorship i ndarë)

Publikime

Said A, Bock S, Lajqi T, Müller G, Weindl G (2014) Chloroquine Promotes IL-17 Production by CD4+ T Cells via p38-Dependent IL-23 Release by Monocyte-Derived Langerhans-like Cells. J Immunol 193: 6135-6143. doi: 10.4049/jimmunol.1303276

Lajqi T, Stojiljkovic M, Wetzker R (2019) Toxin-induced hormesis may restrain aging. Biogerontology. 2019 Mar 20. doi: 10.1007/s10522-019-09806-5

Ndogson-Dongmo B, Lang GP, Mece O, Hechaichi N, Lajqi T, Hoyer D, Brodhun M, Heller R, Wetzker R, Franz M, Levy FO, Bauer R (2019) Reduced ambient temperature exacerbates SIRS-induced cardiac autonomic dysregulation and myocardial dysfunction in mice. Basic Res Cardiol. 2019 Apr 23;114(3):26. doi: 10.1007/s00395-019-0734-1

Lang GP, Ndogson-Dongmo B, Lajqi T, Brodhun M, Marx C, Han Y, Wang ZQ, Wetzker R, Bauer R (2019) Reduced ambient temperature enhances inflammation-induced encephalopathy in endotoxemic mice – role of PI3K. Journal of Neuroinflammation (nën revizion)

Lajqi T, Lang GP, Marx C, Haas F, Williams DL, Wang ZQ, Hudalla H, Bauer M, Wetzker R, Bauer R (2019) PI3Kγ – a key regulator of trained immunity and tolerance development in microglial cells.

Krejt në fund:

Mendojmë se këtë sukses e arriti në sajë të studimeve të tij kërkimore, shkencore, hulumtuese, qëmtuese … në sajë të efikasitetit dhe cilësisë së lartë dhe punës unike.

Trimi me punë, dije, urtësi, shkencë, efikasitetit, cilësi të lartë dhe elokuencës suksesshëm u ngjit shkallëve më të larta të Universitetit, duke kaluar kështu të gjitha gradat e tij dhe të të gjitha subjekteve të përfshira.

Shtojmë se sot Trimi është mësues, këshilltar, dijetar për të treguar, për të mësuar, për të bërë të ditur, për të bërë të duket e drejtë, për të bërë që të shkaktojë që gjithçka të jetë e pëlqyeshme, e përshtatshme dhe e pranueshme…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat