Belaja në Bavari – Çfarë mosmarrëveshje kishin familjet nga Kosova që çuan në vrasje

Gjermania

Belaja në Bavari – Çfarë mosmarrëveshje kishin familjet nga Kosova që çuan në vrasje

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 15:15
Shpejtim.G

Të mërkurën pasdite një ngjarje e rëndë tronditi Gjermaninë. Protagonistët nga Kosova, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur mes vete puna e bizneseve, vendosën që mospajtimet t’i zgjidhnin me plumba. Para gruas e fëmijëve në parkingun e një qendre tregtare u vra Fatos Lumi nga Suhareka, derisa vëllai i tij 46-vjeçar mbeti i plagosur rëndë e tashmë gjendet në gjendje kome. Të dyshuarit kryesorë janë familjarë të të vdekurit e të plagosurit, dy vëllezër nga fshati Krojmir i Lipjanit.

Kishin më shumë se 20 vite që ishin duke jetuar në shtetin gjerman. Për tërë këtë kohë, deri një vit më parë, familja Lumi nga Suhareka kishte punuar së bashku me disa familjarë të tyre, këta nga komuna e Lipjanit në një biznes të përbashkët.

Probleme së bashku nuk kishin pasur deri para një viti. Kur bizneset e tyre u ndanë, dhe të dy familjen filluan që të punojnë me firmat e tyre të profilit të njëjtë, aty filloi edhe sherri.

Një vit më parë, familja nga Lipjani, i kishte ‘paralajmëruar’ familjen Lumi nga Suhareka që të mos vazhdojnë që të punojnë në punën e njëjtë, kjo pasi që ta si duket kishin vështirësi me punën e klientëve.

Për një vit, burra të ndryshëm kishin tentuar që të ndërmjetësonin një marrëveshje mes dy familjeve, mirëpo, një gjë e tillë nuk u arrit. Problemin familja nga Lipjani vendosi që ta zgjedhë duke shkrepur plumba.

Pasditen e të mërkurës, policia në qytetin e Abensbergut në Bavarinë e Poshtme u njoftua për të shtëna armës që u dëgjuan në parkingun e një super marketi në rrugën “Strabuiner”.

Aty u bë e ditur se nga plumbat vdiq në vend të ngjarjes, në parkingun e dyqanit një 39-vjeçar. Bëhet fjalë për Fatos Lumin nga Suhareka. I njëjti në momentin kur u qëllua për vdekje kishte qenë së bashku me gruan dhe fëmijët, të cilët e panë krejt ngjarjen.

Dy vëllezërit, 30 dhe 41-vjeçari nga Lipjani krimin nuk e lanë me kaq. Pasi vranë Fatos Lumin u nisën për të gjetur edhe vëllain e tij të madh Haki Lumin, i cili është pronar i firmës. Pas gjysmë ore u dëgjuan edhe të shtënat tjera.

Në një udhëkryq në qytetin e Abensberg dy makina u ndalën pranë njëra-tjetrës. Në to ishin dy burrat nga Lipjani dhe Haki Lumi nga Suhareka.

Të dy këta pas një grindje që patën me Lumin, e plagosën 46-vjeçarin rëndë. I njëjti ka disa ditë që është duke qëndruar në gjendje kome në spitalin e Gjermanisë.

Dy të dyshuarit fillimisht u arratisën, mirëpo, polica arriti t’i gjente pas një operacioni të madh kërkimi, ku u përfshinë edhe helikopter policie. Të njëjtët nuk rezistuan, derisa, arma me të cilën u krye krimi u sekuestrua.

Vëllezërit nga Lipjani të cilët janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen dhe plagosjen janë 41-vjeçari Shpejtim G. Dhe vëllai i tij Petrit G.(nuk janë emrat e tyre të vërtetë), që tashmë janë arrestuar.

Një fqinj, që kishte njohur dy familjet ka thënë se vëllezërit që u qëlluan kishin jetuar në shtëpinë e dorasit, derisa ishin të punësuar prej tyre. Kohë më parë ishin shpërngulur dhe kishin themeluar kompaninë e tyre. Problemet filluan kur këta u bënë konkurrentë.

Mirëpo, kjo nuk dihet ende nëse është motivi, thonë nga policia. Fillimisht duhet të merren në pyetje të gjithë të dyshuarit dhe dëshmitarët.

Në anën tjetër, 16-vjeçarja Carina S. ka dëshmuar pak minuta pas vrasjes që ndodhi të mërkurën në mbrëmje, se ajo ishte së bashku me një mikun e saj kur dëgjuan të shtënat.

“Unë isha me mikun tim në farmaci kur dëgjuam për trazirat jashtë. Kishte policë kudo e helikopterë. Asgjë nuk po punonte, në parking ishte një person pa ndjenja. Dëgjuam nga një punonjës i qendrës tregtare se dikush ishte qëlluar e se dorasi ishte në arrati. Ne ishim tmerrësisht të frikës. E tmerrshme ajo që ndodhi dhe që dikush duhet të vdiste.

Në një rrëfim për  Express, Sejdi Oruqi, familjar i familjes Lumi thotë se kishte një vit që mes tyre kishin filluar që të kishte mospajtime, krejt kjo shkaku i një firmës që familja Lumi kishte hapur së fundmi. Firma ishte e profilit të njejtë si ajo e dorasit e kjo si duket kishte ngritur mospajtime në mes të tyre.

Të dy familjet, kishin që një vit kohë që nuk po komunikonin mes vete, derisa Oruqi thotë se familja Lumi disa herë ka dërguar njerëz që të ndërmjetësojnë për pajtim.

“Probleme këta kanë pas, si më ka thënë vëllai i tij, këta kanë pas edhe vjet një mosmarrëveshje sepse kanë punu më herët bashkë, me dorasin, ai është emrin njëri e ka Shpejtim, dorasi është i Komunës së Lipjanit. Janë familjarë mes vete (djem të dajës së babës), njihen mes vete familjarisht. Restoranta kanë pastru, motorë të ajrit, ventilla në kuzhina që janë, që bëhen me yndyrat me gjëra. Këta kanë 30 vite në Gjermani. Prej fillimit kanë punu bashkë”, thotë ai.

“Hakiu që është bashkë ky ka punu me një vëlla të tyre, kanë punu gjithmonë bashkë, me një firmë, por, tani Luli e qeli një firmë të vetë, edhe ky një firmë të veten edhe aty  kanë pas diçka mosmarrëveshje mos me i hi në punë njëri-tjetrit. Para një viti e kanë pas keqkuptimin, s’ka pas rrahje, vetëm që nuk ishin duke folur që një kohë. Ata banojnë afër në Gjermani shtëpijat i kanë afër. Ksi gjana jo nuk kanë pas, veç që kanë qu njerëz me i pajtu, që me punu secili punën e vet. Këta vjet kur e kanë pas mosmarrëveshjen ka ardh puna edhe skanë fol mes vete”, shton tutje.

I njëjti ka shpjeguar edhe se si ka ndodhur ngjarja tragjike.

“Ka shku me ble harxh me gruan, pardje në mbrëmje, ka qenë me gruan dhe fëmijën, ka qenë në prezencë të tyre, kur e ka gjujt edhe e ka vra. Ai tjetri (Hakiu) pastaj e kanë vra më vonë. Edhe ata e ka rrok në qafë”, shton ai.

I njëjti ka shpjeguar se tashmë Haki Lumi është në gjendje të rëndë derisa, mjekët sot gjatë ditës iu kishin thënë se kishte ndërruar jetë. Kjo kishte dalë të mos jetë e vërtetë.

“Një mjek ka thanë që ka vdek edhe Hakiu, po ai për momentin është gjallë, në gjendje kome, i kanë thënë mjekët që ka pasur vdekje klinike, vetëm mjeku e ka konfirmu fillimisht, tash është në shumë gjendje të rëndë”, shton, derisa shpjegon se ende nuk dihet se kur do të kthehet për në Kosovë trupi i pajetë i të ndjerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat