Profesor Agani model në politikbërje, atdhedashuri dhe zgjuarsi

Gjermania

Profesor Agani model në politikbërje, atdhedashuri dhe zgjuarsi

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 12:41
Foto

Nëndega e LDK-së në Nidersachsen (Saksoninë e Ultë gjermane), me kryetar intelektualin dhe veprimtarin e hershëm të Mërgatës, Isa Shabanin, në 88 vjetorin e lindjes, rganizoi Akademi Përkujtimore, për Profesor Fehmi Aganin, në Hameln afër Hanoverit. 

Akademia u hap me intonimin e Hymnit të Flamurit shtetëror dhe atë Dardan. Moderimin e bëri Xheneta Veliu, ndërsa përkujdesjen teknike e bënë motrat Albana dhe Vjendita Shabani. Moderatorja fton në skenë organizatorin, kryetarin e Nëndegës, njëherit edhe anëtar i Kryesisë të Degës, Isa Shabanin, i cili përshëdeti familjarët e dëshmorëve të pranishëm, Hajdaraj e Zeqiraj si dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë. Po ashtu përshëndeti ish-nënkryetarin e LDK-së, bashkëpunëtor i Akademik Aganit, profesor Anton Kolaj; anëtarët e Kryesisë të Degës, të prirë nga Nëkryetari i Degës, Enver Musa, delegacionin e Nëndegëve të Rheinland Pfalzit, të Mynihut, Hamburgut, pjesëmarrës nga Nëndegët tjera si dhe të gjithë të pranishmit.

Për jetën dhe veprën e Profesor Fehmi Aganit, foli nikoqiri Isa Shabani: " Rrjedh nga një familje atdhetare nga Plava, e shpërngulur nga dhuna sllave. U lind në Gjakovë, më 23 janar 1932. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm e mbaroi në Prishtinë, ndësa studimet në filozofi i bëri në Universitetin e Beogradit, më 1959. Studimet pasuniversitare, në shkencat politike, i mbaroi në Universitetin e Beogradit, më 1965, duke marrë gradën shkencore Magjistër, me temën 

 „Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani“. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën „Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore“. 

Edhe pse shumë i ri, Fehmi Agani u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të aleancës antifashiste. Në vitin 1951, Fehmi Agani iu kundërvu politikës zyrtare komuniste të Jugosllavisë, për shpalljen e shqiptarëve si turq, që si qëllim kishte dëbimin masiv në Turqi! Dhe, këtu për herë të parë u konfrontua me PKJ-në. Në fund të viteve ’50-a dhe në fillim të viteve ’60-a, punoi si profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe  Prishtinë. Më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja. Në vitin 1965 nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik. Në vitet 1966-74 ishte i pari që angazhohet publikisht për avancimin e statusit të Kosovës në Republikë, andaj u vu në shënjestër të diferencimit politik dhe të presionit policor të Sigurimit shtetëror jugosllav.

Në vitin 1967 Profesor Fehmi Agani u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Luajti rol vendimtar në organizimin e disa prej takimeve më të rëndësishme shkencore si: Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe Simpoziumi për Skënderbeun. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Më 1972-73 themeloi Katedrën e Filozofisë-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik dhe në vijim edhe Institutin e Filozofisë-Sociologjisë. Ishte një nga ndërtuesit kryesor të Universitetit në tërësi. Themeloi revistat “Studia humanistica” dhe “Thema”, në të cilat ishte kryeredaktor. Për studimet e tij shkencore në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit. Pas vitit 1981, Profesor Agani, për shkak të mospajtimeve me vlerësimin dhe me qëndrimet e politikës ndaj demonstratave dhe ndaj çështjes shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme, ishte në trysni të përhershme politike. Për rrjedhojë, më 1984 iu mor e drejta e mësimdhënies.

Profesor Fehmi Agani Ishte nënkryetar shumëvjeçarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës  dhe ndër kryesorët në hartimin e dokumenteve të rëndësishme për Kosovën. Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregulltë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i dekoratës "Urdhri i Lartë Gjergj Kastrioti - Skënderbeu", me të cilën  më 21 dhjetor 2001 e dekoroi presidenti i Shqipërisë; "Urdhri i Lidhjes së Prizrenit" me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës, dhe me 6 maj 2004 - Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova me një dekret të veçantë e ka dekoruar për vepra trimërie, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me Urdhrin "Hero i Kosovës".

Prof. Fehmi Agani ka një opus të madh të veprave të shkruara.  Në vitin 2002, në 70-vjetorin e lindjes, Shtëpia botuese "Dukagjini" botoi Veprat e tij në 8 vëllime. Ai zë vend të spikatur në piedestalin e kësaj plejade intelektualësh të merituar. Ishte pjesëmarrës aktiv në jetën shkencore, politike e kombëtare dhe prijës i shumë proceseve progresive me rëndësi historike për Kosovën e më gjerë. Së bashku me akademikët Ali Hadrin dhe Gazmend Zajmin, që nga viti 1968, ishte ideolog i projektit për Pavarësinë e Kosovës, për të cilin punoi me tërë qenien, deri në minutën e fundit të jetës së tij. Bashkëshortja Sadija tregon se Fehmiu, si anëtar i Komisionit të Serbisë për "Shpërblimin e AVNOJ-it", ashpër kishte kundërshtuar propozimin, që ky çmim t’i jepet Çubrilloviqit, armikut të përbetuar të shqiptarëve. Fale vendosmerisë së tij, aresyetimit që e jep Profesori, ky propozim nuk kalon fare. 

 Presidenti Rugova theksonte se "Profesor Agani ishte për një decenie të tërë njeriu më aktiv në lëvizjen tonë për liri, pavarësi e demokraci. Ai ishte gjithmonë në vijën e parë të veprimit në planin publicistik, diplomatik dhe të veprimit në terren". Ish-presidenti Sejdiu thotë se "Profesor Agani, që nga ditët e para punoi në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lëvizjen politike për lirinë e vendit, së bashku me Presidentin Rugova". Akademik Pajazit Nushi, ka thënë se "Agani do të mbetet shëmbëlltyrë e përkushtimit ndaj mendimit shkencor, e idealeve të lirisë njerëzore e kombëtare të shqiptarëve". Kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa, e cilëson Aganin si një "vizionar, intelektual dhe atdhetar, që tërë jetën ia kushtoi lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës". Blerim Shala rrëfen atë që kishte thënë Profesor Agani në Rambuje: "Edhe nëse vdes së shpejti, do të kem çka t’i tregoj Zotit. Nuk është pak të përjetosh vdekjet e tri Jugosllavive: Mbretërisë së Jugosllavisë, Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Federative të Jugosllavisë”.

Bashkëshortja Sadije Agani ka treguar se kur ai u këthye nga Konferenca në Rambuje, veçsa ishte ulur në dhomë kishte thënë: ”Besoj se e kreva misionin tim në këtë mbledhje. Deri këtu e mendoja. Tani u vendos për sulmet e NATO-s mbi Serbi, tani le ta vazhdojnë tjerët”.  Ai gjithnjë i ndiqte me vëmendje ngjarjet që po zhvilloheshin në Kosovë. Gëzohej shumë për çdo sukses të UÇK-së. Por ishte shqetësuar pa masë, kur kishte mësuar lajmin për vrasjes të Sali Çekaj dhe Agim Ramadanit në luftën e Kosharës dhe kishte qarë si fëmijë, pasi i njihte shumë mirë këta të rinj".

Profesor Fehmi Agani në kohën e bombardimeve të NATO-s, ndaj caqeve ushtarake serbe, nuk kishte dëshiruar ta braktisë Kosovën. Pas një muaji e gjysmë qëndrimi në Prishtinë, nga 24 marsi e deri më 6 maj 1999, duke mos pasur mundësi veprimi, vendosi të kalojë në Maqedoni. Ai ishte i bindur se nga jashtë do të mund të kontribuonte më shumë. Por ai u muar në çastet kur ai protestoi kundër ndarjes së të rinjëve nga turma. U pushkatua nga eskadronët speciale serbe, pas urdhrit të marrë nga eprorët e Beogradit. 

Akademik Fehmi Agani e dha jetën burrërisht ashtu siç e kishte jetuar, për rininë, për lirinë e Kosovës, për popullin shqiptar dhe idealet e tij. Pikërisht për këtë, ai jeton edhe sot tek të gjithë ne, sepse vepra e tij, Kosova e lirë dhe e pavarur ekziston. Andaj, shënojmë ditëlindjen e 88-të të Akademik Fehmi Aganit, personalitet i madh i kombit shqiptar, sepse të tillët janë të përjetshëm. Po e mbyll me fjalët e Presidentit Rugova, në një rast përkujtimi për Fehmiun: "Zoti e bekoftë Profesor Aganin", - e fundoi referatin e tij kryetari i Nëndegës të LDK-së në Nidersachsen të Gjermanisë, Isa Shabani.

Nënkryetari i Degës të LDK-së në Gjermani, Enver Musa, përshëndeti të pranishmit në Akademinë Përkujtimore, në emër të Degës dhe të kryetarit të saj,  Osman Ferizi. Diemensioni i Personalitetit të profesor Fahmi Aganit është vlerë, si në aspektin njerëzor, moral, arsimor, shkencor e politik. Bagazhi praktik e profesional të dëshmuar, Agani ishte edhe dora e djathtë e Presidentit Rugova. Përshkallëzimit të rrethanave politike, renies të sistetmit një partiak në Jugosllavi, i kontribuoi themelimi i LDK-së dhe njëri ndër themeluesit ishte edhe Profesor Fehmi Agani.

Thellësia e mendimit të Profesor Aganit, ishte alfa e çdo iniciative të rëndësishme dhe jetike, që kishte të bënte me organizimin politiko-ushtarak dhe institucional të Republikës së Kosovës. Përkushtimi i tij në shërbim të çështjes kombëtare, i kushtoi me jetë, kur më 6 maj 1999, forcat serbe e ekzekutuan në afërsi të Lipjanit. Vrasja e Profesor Aganit ishte një humbje e madhe për Kosovën dhe proceset e mëvoshme të shtet-bërjes të saj. Mungesa e tij dhe, më vonë, edhe e presidentit Rugova, ishte dhe vazhdon të jetë evidente, për proceset e shtet-ndërtimit dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës",- tha, ndër të tjera, nënkryetari i Degës, Enver Musa.

 

Kur moderatoja Xhenetë ftoi në skenë bashkëpunëtorin e afërt të Dr. Rugovës dhe të Profesor Aganit, ish-nënkryetarin e LDK-së, Anton Kolaj, salla oshëtiu nga duartrokitjet e të pranishmëve. Politikanët e sotëm, i anashkalojnë të djeshmit, me mendësinë moniste se "historia fillon me ne!" Por, populli i nderon dhe nuk i harron bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova dhe të Akademik  Aganit. Ai falenderoi organizatorët, kryetarin Isa Shabani me kryesinë e tij dhe përshëndeti të pranishmit. "Para jush dua të ndaj disa momente kujtimesh, nga njohja ime, së pari si student dhe, më vonë, si bashkëveprimtarë, në cilësinë e Nënkryetarit te LDK-së. E pata të vështire të bëjë një përzgjedhje adekuate të kujtimeve të mija, për figurën shumëdimensionale të Profesor Fehmi Aganit.

Çka të marr dhe çka të lë? Si të lësh kur ke shumë për të marrur nga  Nënkryetari i LDK-së, nga bashkëpunëtori më i ngushtë i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova? Ke shumë për të marrur nga akademiku, profesori, shkencëtari, filozofi, publicisti, politikani dhe, mbi të gjitha, nga i urti i zjarrtë, që kurrë nuk u ndal në luftën e tij, për çlirimin e kombit shqiptar dhe për pavarësinë e shtetit të Kosovës, gjërsa ra në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë.

Nxënësi Sejdi Tullari recitoi vjershën e Agim Hysenit, kushtuar Akademik Fehmi Aganit. Krijuesi Ibrahim Hoxha, i ardhur enkas nga Rosenheimi, deklamoi, emocionalisht e mjeshtërisht, monologun kushtuar Profesor Aganit.

Anëtari i Kryesisë të Degës të LDK-së, në Gjermani, Fazli Hajdaraj, përshëndeti Akademinë në emër të Familjeve të Dëshmorëve. A i përshëndeti edhe veprimtarët e hershëm: Zymer Lulaj, Qazim Bajgoraliu, Idriz Zeqiraj dhe Agan Nikçin.

Intervista e Profesor Fehmi Aganit, dhënë Televizionit Shqiptar, pas nënshkrimit të Marrëveshjes të Rambujesë, u dëgjua me shumë vëmendje nga të pranishmit. Programi i Akademisë u përmbyll me këngën kushtuar Akademik Fehmi Aganit, kënduar nga e mirënjohura Liri Rasha.

Për realizimin e Akademisë Përkujtimore kontribuan Kryesia e Nëndegës të LDK-së në Nidersachsen: Isa Shabani - kryetar, Azem Kelmendi - sekretar, Malë Nikçi e Fadil Gashi - anëtarë, Hysen Jonuzi, Sylë Bytyçi, Osman Gutaj, Shaip Veliu, Selim Kryeziu, Jenë Karaliti, Xheneta Veliu - veprimtarë.

Organizatorët shtruan drekë, për pjesëmarrësi në këtë Akademi Përkujtimore.

 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat