Reagon kryesia e Degës së LDK-së në Gjermani: Kryeministri Kurti me veprimet të papërgjegjshme

Gjermania

Reagon kryesia e Degës së LDK-së në Gjermani: Kryeministri Kurti me veprimet të papërgjegjshme

Më: 22 mars 2020 Në ora: 21:50
LDK

Kryesia e Degës së LDK-së në Gjermani duke analizuar gjendjen në Kosovë pas paraqitjes së virusit Covid 19 dhe zhvillimeve politike të fundit shpreh brengosjen e saj të thellë për gjendjen në të cilën gjendemi. Së pari urojmë që pandemia e Covid 19 e cila sikurse edhe shumë vende tjera ka përfshi edhe vendin tonë, të kaloj me sa më pak pasoja e veçmas viktima në njerëz.

Kryesia vlerëson se Kryeministri Kurti me veprimet e veta të papërgjegjshme dhe mosveprimin e tij rreth heqjes së tarifës me Serbinë ka rrezikuar marrëdhëniet me SHBA-të, ka rrezikuar prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si dhe pezullimin e fondeve qindra milionshe nga ana e SHBA-ve.

Ka qenë insistim i përhershëm i Kryetarit të LDK-së Akademik Isa Mustafa dhe Zëvendëskryeministrit dr. Avdullah Hoti për heqjen e tarifës ndaj Serbisë sepse LDK nuk lejon rrezikimin e partneritetit me SHBA-të, pasiqë SHBA-të janë partner strategjik i Kosovës dhe se prezenca e fuqishme e saj në Kosovë është jetike për vendin tonë.

Se sa të dëmshme janë deklaratat e Kryeministrit Kurti dhe të njerëzve të tij, të cilët në tubime dhe në media të ndryshme sillen në mënyrë përbuzëse ndaj politikës amerikane, duke tallur dhe përqeshur haptas zyrtarët amerikan, tregon fakti se Kosova sot ka mbetur jashtë listës së SHBA-ve, për ndihma e përkrahje ndaj Covid 19, të cilën populli i Kosovës nuk e meriton.

Albin Kurti në këto momente dramatike për shtetin e Kosovës, për të hequr vëmendjen nga çështjet jetike të popullit, provokon krizë politike duke shkelur marrëveshjen me LDK-në, dhe shkarkon pa bazë, përmes mesazhit Ministrin e MPB-së, njëkohësisht Nënkryetarin e LDK-së.

Andaj Kryesia e Degës së LDK-së në Gjermani përkrah fuqishëm qëndrimin e Kryesisë së LDK-së për mocionin kundër Qeverisë Kurti sepse LDK nuk lejon rrezikimin e partneritetit me SHBA-të, amanet nga Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova dhe se me këtë ajo po e mbron qenësinë e shtetit të Kosovës.

Për Kryesinë
Zëdhënësi
Isa Jakup Shabani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat