Ndarja nga një njeri i fjalëve të pakta dhe i punëve të mëdha

Gjermania

Ndarja nga një njeri i fjalëve të pakta dhe i punëve të mëdha

Nga: Hamza Halabaku Më: 8 qershor 2020 Në ora: 19:26
Emurllah Sejdiu

Në Nyrëmberg të Gjermanisë, pas një sëmundje të gjatë e të rëndë, sot u nda nga jeta atdhetari dhe veprimtari më i dalluar në këtë qytet, Emërllah Sejdiu, i cili ishte i lindur në fshatin Leshnicë të Komunës se Tetovës, më 24 prill 1948.

Në Gjermani, Emërllahu punoi dhe jetoi që nga nëntori i vitit 1971. Në Fabrikën e turbinave “KANIS”,  që ishte e njohur në shumë vende të Evropës, Emërllahu ishte  njëri nga punëtorët e dalluar për çka edhe disa herë është nderuar  me lëvdata e mirënjohje, madje edhe shpërblime.

Nga viti 1988 Emërllahu shquhet për aktivitetin e tij kombëtar në Klubin e shqiptarëve “Jehona” në Nurëmberg, klub ky që organizoi shumë tubime sensibilizimin e pozitës së shqiptarëve të Kosovës, demonstrata dhe protesta antijugosllave... Ai u dallua edhe në aksionet e ndryshme të bashkatdhetarëve, siç ishte ai për tubimin e mjeteve për Televizionin e Prishtinës, për Fondin për të Drejtat e Njeriut, për Sindikatën e Pavarur të Kosovës, për aksionin “Familja ndihmon familjen” etj. Një kontribut të mirë ai e dha edhe atëherë kur u formua dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai nuk vrapoi pas pozitës së kryetarit asnjëherë as në Klubin “Jehona” e as në LDK, ndonëse nuk refuzoi pozitat e arkëtarit e dhe të sekretarit në këto dy organizma.

Emërllahu me mburrje fliste për punën e madhe që kanë bërë në Nyrëmberg për grumbullimin e 3 %. “Ishte ajo një kohë që duhej vepruar pa ndalur, duke sakrifikuar edhe pushimin tonë të fundjavës dhe atë vjetor. Konsideronim se kjo ishte një sakrificë e vogël e jona për të ndihmuar me mjete financiare mbijetesën e qytetarëve shqiptarë në Kosovë. Sa kemi punuar nuk di të them, ndërsa për mjetet e tubuara i di të gjitha deri në euron e fundit. I kam të gjitha dëftesat për mjetet e tubuara dhe të dorëzuara. Ishin ato mjetet tejet të nevojshme financiare për të cilat kishte nevojë arsimi, kultura dhe shëndetësia kosovare e atyre viteve. Gjatë kohës së luftës në Kosovë kemi tubuar mjete edhe për UÇK-në. Nuk ndienim lodhje fare, sepse ishin përpjekjet tona të fundit për realizimin e dëshirave shekullore të paraardhësve tanë, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë për formimin e shtetit tonë, respektivisht forcës sonë ushtarake dhe ajo duhej ndihmuar pa kursyer as forcën e as mjetet. Nuk jam ndier fare i lodhur, sepse motivet ishin të shëndosha dhe në këto aksione unë nuk isha vetëm. Ka kaluar një kohë, dhe tani jam në moshë, po nuk mund ta harroj asnjëherë bashkëpunimin me Gani Shalën, Enver Rexhepin, Remzi Hetën, Metush Zagraxhen e shumë e shumë të tjerë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen dhe për këtë atyre u kërkoj falje”, pat deklaruar vite më parë Emërllah Sejdiu, gjatë një bisede që unë e pata  bërë një shkrim për të.

Derisa Emërllahu fliste me një modesti të natyrshme për veprimtarinë e vet, ishte Gani Shala, njëri nga veprimtarët dhe shokët me të cilët ka bashkëpunuar Emërllahu, ai i cili e vlerësonte shumë lart punën dhe angazhimin e Emërllahut: “Ishte ndër aktivistët e palodhshëm dhe më i zellshmi nga të gjithë ne. Nuk dinte të lodhej fare. Neve na jepte kuroja edhe pse, ai nuk ishte kosovar. Me një pedanteri  të pashoqe i kryente të gjitha detyrat. Dhe për çdo punë mbante shënime sikur të ishte ndonjë administrator evropian.  Nuk i dhembej as vetura as koha, edhe pse  ne punonim me ndërrime, herë para dite e herë pas dite, natyrisht edhe natën, prapë, në mëngjes, ishim në rrugë për realizimin e misionit tonë. Emëllahu përveç punëve që bënim ai na nxiste neve aktivistëve që të dalloheshim nga ata që paguanin 3% . Ai vepronte dhe paguante ndoshta edhe 6% e jo 3% sa kishim obligimet e atëhershme!”

Edhe Remzi Heta, poashtu një veprimtar i asaj kohe, pat thënë se po të pyetej ai dhe po të kishte ndihim te Qeveria e Republikës së Kosovës do ta nderonte Emërllah Sejdiun me një pasaportë nderi të Republikës së Kosovës, sepse ai për çështjen e Kosovës ka punuar sa dhjetë kosovarë.

Gjatë kohës së luftës në Kosovë Emërllahun e goditi  sëmundja dhe shumë kohë kalonte në spital. Ndonëse vuante nga një sëmundje që cilësohej me diagnozë mjaftë të rëndë, ai përherë ishte optimist se Kosova do të çlirohet, por edhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta etnike do të kenë një frymëmarrje më lirë.

Sa herë e vizitonim ne bashkatdhetarët në spital, Emërllahu ishte me gazetën e përditshme “Bota sot”.

Kur ne festuam në qytetin e Nyrëbergut të Gjermanisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës me njohje ndërkombëtare, Emërllahu për arsye objektive nuk ishte me ne. Pas festimit një grup shokësh vendosëm ta vizitojmë Emërllahun në banesën e tij. Kur u afruam afër banesës, vërejtëm se në dritaren e banesës se tij po valonte flamuri kombëtar shqiptar. Emërllahu për ditë i shënonte të gjitha shtetet mike që e njihnin Republikën e Kosovës dhe i gëzohej çdo njohje që vinte për pavarësinë e Kosovës.

Edhe pse Emërllahu për shumë vite nuk mund të lëvizte i lirë, ngase edhe kur nuk ndodhej në spital duhej të kishte regjim shtrati në banesën e tij, ama asnjëherë kohën nuk e kalonte kot. Sa herë e kam vizituar, e kam gjetur me libër në dorë. Me libra, herë pas here, e furnizonin miqtë e tij, Sinan Aliu e Maliq Bajrami, të cilët i blinin librat në librarinë “Artini – Toena” te Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe ia sillnin Emërllahut.

Emërllahu kishte ushqyer dëshirën të regjistrohej në Shkollën Normale “Zef Lush Marku” në Shkup, por rrethanat e krijuara pas tërmetit që në vitin 1963 e kishte goditur Shkupin, ia ndërruan ëndrrën për atë shkollë, pas atij bashkë me disa bashkëmoshatarë, iu kishte ofruar mundësia që në saje të një ndihme solidare nga Sllovenia, të shkollohet në Maribor, ku mbaroi shkollën e mesme për axhustatorë në vitin 1967. Një kohë edhe punoi në fabrikën “Boris Kidriç” të Mariborit.

Emërllah Sejdiu ishte një veprimtar e atdhetar  i fjalëve të pakëta dhe i punëve të mëdha. I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Emërllah Sejdiut që aq shumë e deshi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat